LONDËR, 16 dhjetor /ATSH-AFP/ – Qeveria britanike mori kritika të ashpra sot pas kontributit të UNICEF në një fushatë për të ushqyer fëmijët nga familjet e dobësuara prej pandemisë së COVID-19 në BM, e para herë në historinë e agjencisë së Kombeve të Bashkuara.
Partia Laburiste, partia kryesore e opozitës, e konsideroi të turpshme që rreth 1 800 familje në vështirësi ushqehen pjesërisht gjatë pushimeve të Krishtlindjeve falë ndihmës financiare nga Fondi i Fëmijëve i Kombeve të Bashkuara.
“Jemi një nga vendet më të pasura në botë”, tha numri dy i laburistëve, Angela Rayner.
“Ne kurrë nuk duhet të kishim arritur në këtë pikë. Fëmijët tanë nuk duhet të varen nga shoqatat humanitare, që janë mësuar të veprojnë në zonat e luftës dhe pas katastrofave natyrore”, shtoi ajo.
Ndihma financiare nga UNICEF, që arrin në 25 000 stërlina (27 700 euro), iu dha disa shoqatave që ndihmonin familjet në rrethin e Southwark, në jug të Londrës.
Sipas UNICEF, e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, pandemia e COVID-19 është kriza më urgjente që ka prekur fëmijët që nga ky konflikt global./ /ervo/