4 familje në Farkë hyjnë në banesat e rindërtuara me kushte optimale/ Deri në 31 dhjetor përfundojnë 1 mijë banesa

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ishin sot në Farkë ku 4 familje morën çelësat e banesave të reja, të rindërtuara me kushte shumë herë më të mira se shtëpitë që kishin para tërmetit të 26 nëntorit.
“Kthimi në shtëpi i familjeve të prekura nga tragjedia e 26 nëntorit të shkuar, vazhdon. Qentë le të lehin karvani do të ecë më shpejt përpara”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “kemi problem disa shtëpi që janë nëpër pika të largëta apo në  gjeologji të vështira dhe kemi menduar se do t’i japim direkt lekët dhe ata të vendosin vetë nëse duan ta rindërtojnë aty me forcat e tyre dhe me financimin tonë apo duan të spostohen”.
Rama tha se “ky grup që nuk është i madh por do të zgjidhet dhe do t’u japim në dorë një për një lekë sa ju bën rindërtimi”.
Konkretisht në Farkë, ministri Ahmetaj informoi se janë 5 shtëpi të tilla.
Ministri Ahmetaj informoi se “vetëm nga grantet që janë 100 milionë dollarë, sot janë shpërndarë 74 milionë dollarë”.
“Kjo do të thotë se vetëm nga një program është 74% realizimi. Duke futur vetëm realizimin e këtij programi në tërësinë e vetë, vetëm ky program përbën realizim mbi 20%, le më programet e tjera. Kemi shkollat që janë gati 28 shkolla që janë dorëzuar dhe 1 mijë shtëpi të dorëzuara deri në 31 dhjetor. Vetëm në këtë njësi administrative do të jenë 80 shtëpi të përfunduara, 400 do të jenë në Shijak ndërkohë që kanë filluar pallatet. Rindërtimi është programi dhe procesi më i shpejtë dhe më i realizuar”, tha Ahmetaj.

Veliaj theksoi se “për ata që janë vonuar në thirrjen e parë sapo na kanë sjellë dokumentet ne kemi vepruar me shpejtësi”. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.