Talenti shqiptar/ Hyska: Futbolli i femrave po zhvillohet, Kombëtarja është si një ëndërr

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/  Portierja e talentuar e Kombëtares së femrave, Antigoni Hyska i ka krijuar lidhjet me futbollin në ambientet e shkollës. Edhe pse vetëm 17 vjeçe, Antigoni ka arritur të përjetojë emocionet e debutimit me Kombëtaren A. Hyska aktivizohet me klubin e Apolonisë, duke qenë pjesë e ekipit që e vogël, falë ndërhyrjes së kushërirës së saj, e cila shihte te Antigoni talent dhe dëshirë për të luajtur futboll.

Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Antigoni Hyska tregon se synimi kryesor është të fitojë titullin kampion me klubin e Apolonisë. Ajo vlerëson FSHF për prioritetin që po i jep futbollit të femrave dhe njëkohësisht kërkon mbështetje. Sakrificat, episodet e lumtura në karrierë dhe më shumë, Hyska i rrëfen në intervistën më poshtë.

Ajo tregon se dëshira dhe pasioni për futboll i lindi në shkollë. “Në shkollë, edhe pse shpesh mërzitemi, kalojmë momente mjaft të bukura dhe thurim ëndrra për të ardhmen. Pikërisht, në ambientet e shkollës, unë krijova lidhjet e para me futbollin. Luaja me djemtë dhe kuptova që kjo lojë më përket dhe njëkohësisht i përkas. Më pas, në mënyrë profesionale u regjistrova në ekipin e moshave të Apolonisë për femra dhe tashmë jam pjesë e ekipit të parë. Vajza e tezes time shihte tek unë se me sa pasion se me sa dëshirë luaja futboll. E falënderoj sepse, duke parë dëshirën time të madhe që kisha të isha pjesë e një ekipi futbolli, kërkoi dhe më prezantoi me drejtuesen e ekipeve të moshave të ekipit të Apolonisë, kur unë u bëra pjesë e tyre. Më pas, klubi më ofroi të bëhem pjesë e ekipit të parë, ku edhe ndodhem aktualisht”, thotë ajo.

Hyska shprehet se, “kam një marrëdhënie shumë të mirë edhe me grupin edhe me trajnerin, si në Kombëtare ashtu edhe në klubin ku luaj. Duke qenë vajza, merremi vesh mirë dhe jemi një grup i mirë. Nuk ka xhelozi mes nesh, pasi kemi si qëllim të rritemi dhe të mbështesim njëra-tjetrën”.

Momentin kur mori ftesën e parë nga Kombëtarja ajo e përshkruan si “një moment, të cilin e kujtoj si të çuditshëm, pasi m’u duk si e pabesueshme. Kisha shumë emocione, pasi edhe pse kam luajtur shumë ndeshje me Kombëtaret e moshave, të luash me Kombëtaren e madhe ishte shumë ndryshe. Ndjesi të paharrueshme do të thoja. Plotësova një nga ëndrrat e mia dhe realizova një nga qëllimet kryesore që kisha”.

Ndër episodet më të lumtur në karrierë deri tani  ajo kujton dy episode, “i pari është një ndeshje që kemi zhvilluar kundër Vllaznisë, të cilën arritëm ta ndalnim dhe ku kam bërë një paraqitje vërtetë të mirë për të cilën jam vlerësuar. Episodi i dytë është padyshim debutimi me Kombëtaren, në ndeshjen kundër Skocisë”.

Si sakrificën më të madhe që ka bërë për futbollin ajo thekson se, “kam ndjekur pasionin që e vogël dhe duke u marrë me futboll që e vogël, kam lënë mënjanë gjëra të tjera. Ndiqja stërvitjet çdo ditë dhe vija në kohë. Gjithashtu, mbaj mend që një kohë u dëmtova te gjuri, por pavarësisht dëmtimit, arrita t’i mbyll me ekipin të gjitha ndeshjet e mbetura”.

Sa i përket synimeve për të ardhmen ajo thotë se, “se jam shumë e fokusuar te klubi ku unë luaj. Synim kryesor është që bashkë me ekipin të arrijmë të shpallemi kampione të Shqipërisë. Po punoj shumë dhe po stërvitem jo vetëm në seancat stërvitore me ekipin, por edhe individualisht. Uroj që një ditë të jem pjesë e ekipeve europiane”.

Idhull në Kombëtare ajo ka portierin Etrit Berisha. “I qartë në pozicion, i përqendruar dhe të jep siguri në çdo ndeshje”.

Vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem ajo ka një mesazh. “Mund të duket klishe, por të ndjekin ëndrrën. Fundja, jeta është e tyre dhe jo e të tjerëve. Futbolli është sporti më i bukur në botë. Është me fat çdo vajzë që ka talent dhe di të luajë”, thekson Hyska. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.