Polonia mbështetje Autoritetit Rrugor Shqiptar

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Në kuadër të bilancit të fazës së parë të projektit binjakëzues Poloni-Kroaci—Shqipëri, i financuar nga BE, u zhvillua konferenca online “Forcimi i kapaciteteteve të Autoritetit Rrugor Shqiptar në zbatimin e praktikave të mira të qeverisjes për planifikimin, menaxhimin, prokurimin dhe mirëmbajtjen e investimeve në rrugë”.

Zëvendësministrja polake e Fondeve dhe Politikës Rajonale, Małgorzata Jarosińska-Jedynak, pjesëmarrëse në këtë konferencë online, ndër të tjera theksoi se Polonia ofron mbështetjen e saj në fusha ku ka përvojë të vlefshme.

Për ambasadorin e Polonisë në Shqipëri, Karol Bachura projekti në fjalë është një tjetër shembull i prekshëm i përfshirjes së drejtpërdrejtë të Polonisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Qëllimi i konferencës ishte të tregonte se si projekti i binjakëzimit i përgjigjet sfidave të transportit rrugor të Shqipërisë. Ngjarja ishte gjithashtu një mundësi për të përmbledhur aktivitetet e kryera deri më tani nga autoritetet rrugore shqiptare dhe partnerët e projektit, bëri të ditur Ambasada e Polonisë në Tiranë.

Artan Shkreli, zëvendësministër i Ministrisë Shqiptare të Infrastrukturës dhe Energjisë në këtë konferencë veç të tjerash nënvizoi se projekti, ka një rëndësi të madhe për Ministrinë si një mjet për të ndryshuar, përmirësuar dhe përforcuar përfundimisht kapacitetet e ARRSH-së, duke punuar së bashku me Partnerët Binjakëzues nga Polonia dhe Kroacia. Ai shprehu bindjen se zgjidhjet e implementuara do të kenë një ndikim në rritjen e efikasitetit dhe kapacitetit administrativ të ARRSH-së dhe institucioneve të tjera shqiptare që bashkëpunojnë në këtë fushë./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.