Lehtësimi i impaktit të pandemisë në ekonomi/ Gjermania mbështet Shqipërinë me 6.8 milionë euro

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Gjermania mbështet Shqipërinë me 6.8 milionë euro për të lehtësuar impaktin në ekonomi të pandemisë së COVID-19

KfW dhe Fondacioni për Garantimin e Kredive Rurale (RCGF) nënshkruan marrëveshjen e financimit për një grant prej 6.8 milionë eurosh, të dhënë nga Qeveria Gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, njoftoi sot Ambasada e Gjermanisë në Tiranë.

Ky grant do të përdoret për t’i dhënë RCGF mundësinë për të zgjeruar mbështetjen e saj për kompanitë shqiptare për të përballuar efektet negative të pandemisë së COVID-19.

Ekonomia shqiptare u godit rëndë nga masat e marra për ndalimin e përhapjes së virusit. Sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) kanë nevojë për financim të mëtejshëm për t’i ndihmuar ato për tejkalimin e krizës për të ruajtur vendet e punës dhe të mundësojnë një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike.

Në kuadër të Bashkëpunimit Financiar Gjermani-Shqipëri, 6.8 milionë eurot e dhëna nga qeveria gjermane do t’i shtohen dritares së RCGF për ndihmën ndaj COVID-19 dhe do të promovojnë qasjen në financime për NVM-të shqiptare në formën e garancive të kredive përmes institucioneve lokale banka dhe jobanka. Dritarja e mbështetjes ndaj COVID-19 do t’u garantojë NVM kapitalin qarkullues, kreditë për investime dhe likujditet në bazë të nevojave të kompanive.  Në këtë mënyrë ky grant, në planin afatshkurtër do të mbështesë kompanitë për të kaluar krizën ndërsa në planin afatmesëm dhe atij afatgjatë do të mundësojë investime të mëtejshme për forcimin e NVM-ve shqiptare dhe promovimin e punësimit.

RCGF u themelua si një organizatë jofitimprurëse me një kontribut prej 5 milionë eurosh të dhënë nga Bashkimi Europian, të zbatuara nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW si edhe një kontribut të Qeverisë Shqiptare. Në 2018 Qeveria Gjermane rriti kapacitetin garantues të RCGF me një grant prej 30 milionë eurosh. Misioni i RCGF është promovimi i qasjes në financime duke inkurajuar bankat dhe institucionet financiare jobanka t’u japin shërbime financiare NVM-ve në zonat rurale dhe sidomos në sektorin e bujqësisë./j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.