EANA letër kryeministrit slloven: Pezullimi i financimit të STA formë presioni mbi pavarësinë e saj

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH-/ – Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), ku ATSH është anëtare me të drejta të plota dhe pjesë e bordit të saj, i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansa, nëpërmjet së cilës shpreh shqetësimin për pezullimin e financimit të agjencisë sllovene të lajmeve, STA.

EANA thekson se ”pezullimi i financimit mund të shpjegohet vetëm si një formë presioni mbi pavarësinë e STA, një sjellje që është e papranueshme dhe që ne e dënojmë”.

Më poshtë letra e plotë e EANA-s:

”EANA bën publike letrën drejtuar kryeministrit slloven, Janez Jansa, e cila u dërgua në zyrën e tij të enjten e kaluar, më 10 dhjetor, pa asnjë përgjigje nga autoritetet sllovene deri në momentin e botimit. Aleanca e ka dërguar letrën në frymën e mirë të dialogut, që duhet të qëndrojë në bazën e eksplorimit të zgjidhjeve të vullnetit të mirë për situata të vështira, siç ishte vendosja e anëtarit tonë, STA, nga vendimet e qeverisë sllovene:

I nderuar zoti Janez Jansa, Kryeministër i Republikës së Sllovenisë

EANA (Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve) shpreh shqetësimin në lidhje me zhvillimet e fundit në Slloveni për Agjencinë Sllovene të Lajmeve (STA), anëtarja jonë shumë e vlerësuar. Për fat të keq, agjencia e ka gjetur veten në një pozitë të pasigurt për shkak të pezullimit të financimit të shërbimit të saj publik. Kjo rrezikon vazhdimësinë e funksionimit si dhe vetë ekzistencën e saj.

Ne jemi të sigurt që Ju jeni dakord me ne kur nënvizojmë rëndësinë e lirisë së medias nga çdo përfshirje politike. Gjithashtu, ne besojmë në sistemin demokratik që qeveris Slloveninë, qeverinë e vendit dhe veprimet tuaja si Kryeministër.

Në këtë kontekst, EANA bashkohet me thirrjen e Komisioneres së Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviç, duke kërkuar që qeveria e Republikës së Sllovenisë të sigurojë menjëherë fonde për STA.

Për më tepër, duke vëzhguar opinionin ligjor për këtë rast, pezullimi i financimit për agjencinë dhe shërbimin e saj publik është qartë i pajustifikuar. Nga analiza jonë e fakteve, pezullimi i financimit mund të shpjegohet vetëm si një formë presioni mbi pavarësinë e STA, një sjellje që është e papranueshme dhe që ne e dënojmë, nëse është kështu, pasi bie ndesh me vlerat thelbësore e Aleancës sonë dhe, aq më tepër, ajo bie ndesh me parimet themelore të shoqërive demokratike.

Prandaj ju nxisim ju, zoti Kryeministër, si përfaqësuesi më i lartë i degës ekzekutive, të veproni në përputhje dhe në frymën e fuqive të investuara te ju nga populli slloven dhe të zgjidhni situatën me rivendosjen e financimit të STA. EANA është e gatshme të diskutojë mbi praktikat më të mira me qeverinë sllovene, në mënyrë që të arrijmë një mirëkuptim të përbashkët dhe vendim përfundimtar të favorshëm për anëtarin tonë, STA dhe për Republikën e Sllovenisë”, përfundon letra e EANA-s, një kopje e së cilës i është dërguar të gjithë anëtarëve të saj./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.