“Protesta po keqpërdoret nga politika”/ Gjermeni: E pafalshme përfshirja e të miturve në akte dhune

TIRANË, 13 dhjetor/ ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste Eglantina Gjermeni, gjatë një interviste televizive, u shpreh se protestat janë legjitime, por dhuna dhe përdorimi i të miturve nuk mund të tolerohet.

Deputetja Socialiste, ka theksuar se vrasja e Klodian Rashës ishte tragjike, protestat janë të kuptueshme, por dhuna nuk lejohet është e papranueshme që kjo protestë të keqpërdoret politikisht.

Sipas saj mesazhin më të mirë në këto ditë e ka dhënë babai i vetë Klodianit, për të cilin deputetja tha se ka kërkuar që hetimet për ngjarjen të priten me qetësi dhe që në fund të vendoset drejtësia.

“Doja të shprehja ngushëllimet për familjen, u bashkohem dhimbjes së tyre, pasi humbja është tragjike. Trishtimi, irritimi ndaj kësaj ngjarje është legjitim, por duhet të kuptojmë që një punonjës policie në mënyrë të pafalshme tejkaloj detyrën e tij, duke përdorur forcën më shumë se çfarë nevojitej. Të gjitha protestat janë pjesë e zhvillimit të demokracisë dhe tregon pjekuri duke tejkaluar mitingjet politike. Shpesh kemi dëgjuar në media se kemi pasur protesta politike, të drejtuara nga politika, por me rëndësi janë protestat qytetare, si ajo e armëve kimike, apo ajo e studentëve. Jam e prekur dhe e shqetësuar nga dhuna e ushtruar gjatë protestave. Dhuna e ushtruara ndaj infrastrukturës, policisë, Muzeut Kombëtar, bibliotekës janë të patolerueshme. S’mund të justifikojmë dhunën dhe kjo nuk duhet të manipulohet nga politik, pasi kjo i hedh zjarr benzinës, duke shkaktuar pasiguri tek qytetarët, duke ushtruar presion ndaj forcave të sigurisë publike, duke dëmtuar biznesin..etj”,- tha Gjermeni.

“Unë nuk i pëlqej përgjithësimet. Jo të gjitha protestat që janë bërë në Tiranë e rrethe, nuk ka pasur protesta gjithnjë të dhunshme, shiko rastin e Dibrës, Durrësit, ku pati përkrahje ndaj policisë. Ndërkohë një rast episodik i një punonjësi të policisë nuk mund të hedh poshtë punën e Policisë së Shtetit. Askush s’mund të thotë që kemi polici të përkryer, ka shumë për të bërë, humbja e jetës së Klodianit është kambanë alarmi dhe na detyron të mendojmë se si duhet të veprojmë të mos na ndodhi kjo gjë më në të ardhmen. Është një proces, por policia sot s’mund të krahasohet me policinë e disa viteve më parë”,- tha Gjermeni.

“Unë mendoj që në momentin që gjithësecili prej nesh merr përsipër të angazhohet në një protest, ka dhe përgjegjësinë për mbarëvajtjen e saj deri në finalizimin e çështjes. Ajo që i ka ndodhur Klodianit po keqpërdoret politikisht dhe shqiptarët nuk e meritojnë këtë dhunë dhe këtë modeli proteste të dhunshme. Këto reagime i kanë provuar dhe më herët në ’97 dhe 21 janari dhe na kanë kthyer pas. Kemi qenë në një pikë kufitare dhe na kanë kthyer në regres”,- shtoi ajo.

“Më ka prekur reagimi i babait të Klodianit, që edhe në një moment të tmerrshëm për ta kanë ditur që të japin mesazhe mençurie, fisnikërie. Ky hetim po realizohet nga institucionet e pavarura të drejtësisë dhe ne presim të vendoset drejtësia, dhe të  ndëshkohet punonjësi i policisë që ka bërë këtë akt dhe çfarë duhet bërë që në rekrutimin e punonjësve të policisë për të pasur një polici edhe më të pjekur. Nuk ka ana e Kryeministrit përdorim politik të çështjes së Klodianit. Kryeministri me të mbërritur nga SHBA vizitoi shtëpinë e Klodianit. Nuk është momenti që kjo ngjarje të keqpërdoret për të ushtruar dhunë, për të përdorur fëmijët për të shtruar dhunë, duke përfituar nga të miturit që dënohet më pak, dhe ku të miturit kanë më shumë të drejta dhe nuk besoja se edhe në Shqipëri, siç ka ndodhur në disa vende të prapambetura të përdoren fëmijët për kësisoj veprash të dhunshme. Këtë se duroj dot, e nuk e toleroj dot. Dhe fakti që Presidenti nuk ka reaguar për të miturit në dhunë, fakti që krerët e opozitës nuk po reagojnë, që ish- Kryeministri përdor gjuhë dhune, është një tregues i rëndësishëm. Trupa diplomatike në Shqipëri kërkoi hetim të plotë, por jo dhunë”,- përfundoi Gjermeni. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.