Protestat e dhunshme/ Iliri dhe Saliu duhet ta harrojnë se e kthejnë prapë Shqipërinë për përsheshin e tyre

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ “Iliri dhe Saliu duhet ta harrojnë se e kthejnë prapë Shqipërinë për përsheshin e tyre dhe sado ëndrra të shohë Luli duke mbajtur lugën në dorë që t’i vijë gjella e Monikës, Shqipëria do të vazhdojë drejt përpara, me mund e durim, për t’u bërë ajo që duan fëmijët e saj”, tha sot Kryeministri Edi Rama.

“Kur policia reagoi ndaj një provokatori famoz gjatë ushtrimit të dhunës opozitare tek Kuvendi, Ilir Meta vrapoi në spital për të vizituar heroin e dhunës! Kur policit të shtetit, i nxjerrin syrin dhunuesit me kapuçë të nxitur prej tij e Saliut, Ilir Meta dënon dhunën policore”, tha Rama.

Kryeministri tha se “sipas Ilir Metës policia nuk duhet të reagojë, po duhet të dorëzojë Tiranën dhe veten në duart e dhunuesve të verbër, që ai bashkë me Saliun të bëjnë Lulin dhëndër të pushtetit dhe Monikën arkëtare të shtetit, si në kohët e arta të bashkëqeverisjes me plumba mbi protestuesit”.

Reagon PD: Keqqeverisja, shkaktarët e vetëm të revoltës

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, reagoi duke u shprehur se “gjuha e urrejtjes dhe përpjekjet e dëshpëruara të Edi Ramës për të fajësuar PD për 7 vitet e dështimit, premtimeve boshe dhe arrogancës së tij, tregojnë sa larg realitetit ku jetojnë shqiptarët, është ky njeri dhe shpura e tij”.

“Keqqeverisja, dhuna dhe arroganca 7 vjeçare e Edi Ramës janë shkaktarët e vetëm të revoltës dhe zemërimit të të rinjve”, tha ai.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.