Divjakë/ Shpërndahen 230 leje legalizimi në zonën e Çermës

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ 230 leje legalizimi janë shpërndarë sot në zonën e Çermës në Divjakë.

Zv/kryeministri Erion Braçe ishte sot i pranishëm në zonën e Çermës në Divjakë ku shpërndau disa leje legalizimesh.

Braçe vlerësoi punën e ASHK-së në këtë proces dhe të bashkisë së Divjakës ku u shpreh se “në raport me përgatitjen e dokumentacionit të qytetarëve pa pagesë, i kemi marrë përsipër ne shpenzimet për të bërë gjënë e duhur, me qëllim që qytetarët të marrin dhe legalizimet dhe të vijojmë me procesin e jashtëzakonshëm të certifikimit të tokës bujqësore”.

“Sot mbyllim procesin për Çermën e Sipërme, për Çermë Pasha dhe Çermë Proshkë. Na mbeten një pjesë e rëndësishme e Njësisë Administrative Tërbuf për të shtyrë përpara procesin e legalizimeve”, tha Braçe.

“Na mbetet Çermë Sektor, që është një prej zonave më të populluara dhe më të ndërtuara apo më të keqndërtuara. T’i themi gjërat sesi janë, ku ne natyrisht kemi vështirësi në Çermë Sektor për të ndërtuar infrastrukturën nëntokësore dhe mbi tokësore, sa i takon punëve publike që bën bashkia për shkak se jemi të detyruar që të respektojmë distancat. T’u lutemi njerëzve që të zhvendosin avllitë e tyre me qëllim që ato rrugë që po bëhen, ato ujësjellësa që po bëhen për ata njerëz, ato kanalizime që po bëhen, na kanë sjellë vështirësi shumë të mëdha”, u shprehet Braçe.

“Është hera e parë në këtë zonë që ne dorëzojmë lejet e legalizimeve. Është hera e parë që secili prej jush që jeni këtu sot do merrni lejen e legalizimit pa paguar ryshfet”, tha Braçe.

“Të përfundojmë procesin e e legalizimeve për të vijuar me atë që është reforma më e madhe që na pret që është certifikimi i tokës në fshat”, tha drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame.

“Zona e Çermës ka pasur goxha ndërtime pa leje. Ne po e përmbyllim këtë proces. Mbeten vetëm disa dhjetëra objekte që janë nga emigrantët, të cilët duke mos qenë në Shqipëri, drejtoria rimerr detyrën të bëjë një lajmërim për ta, që kur të kthehen në atdhe të ndjekin procedurën për të plotësuar ndonjë dokument të nevojshëm për legalizimin”, tha Lame. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.