Basha: Biseda me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar lidhur me zhvillimet e fundit

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot biseda me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar lidhur me zhvillimet e fundit, pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.

“Sot kam patur disa biseda me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar lidhur me zhvillimet e fundit. Ndava thirrjen për një hetim transparent dhe drejtësi për vrasjen e Klodjan Rashës, si dhe zbardhjen e përpjekjeve për manipulimin e ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve para ligjit”, shprehet Basha.

Basha tha se në këto biseda “dënova gjuhën e urrejtjes të përdorur nga kryeministri, si dhe brutalitetin dhe dhunën e policisë ndaj minorenëve dhe gazetarëve”.

“Përsëris thirrjen për të ndalur brutalitetin e policisë dhe për të garantuar të drejtën e protestuesve për të protestuar të lirë dhe paqësisht”, u shpreh ai.

“Më 25 Prill ne do ta largojmë këtë qeveri dhe do të sjellim shpresë dhe ndryshim për Shqipërinë”, përfundoi Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.