Ambasada e SHBA: Ata që kanë qenë në pushtet nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, ata në pushtet kanë përgjegjësi për hetim të plotë

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i shprehu sot ngushëllimet familjes dhe miqve të Klodian Rashës, duke e cilësuar vdekjen e tij një tragjedi.

Sipas njoftimit për shtyp të Ambasadës së SHBA-së ambasadorja Kim bisedoi sot me Kryeministrin Edi Rama, drejtorin e Policisë Veliu, kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Kryemadhi, për të diskutuar mbi të drejtat e qytetarëve dhe përgjegjësitë e udhëheqësve.

Ambasadorja Kim nënvizoi se ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike, si dhe të sigurojnë përgjegjësi në të gjitha rastet.

“Në këtë drejtim, ne vërejmë se autoritetet kanë kapur oficerin në fjalë dhe kanë nisur hetimet”, thekson Ambasada amerikane.

“Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të udhëhequr në një mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën. Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme”, theksohet në njoftimin e Ambasadës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen, dhe që zërat e tyre, përfshirë atyre në protestë, të kenë mundësi të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.