Rindërtimi në Krujë/ Shkolla “Korb Muça” në kantier me financim të BE-së, palestër, kopsht dhe fushë sportive

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj bëri të ditur se ka nisur rindërtimi i shkollës “Korb Muça” në Nikël të Krujës.

“Në kantier edhe shkollat e financuara nga Bashkimi Europian. Shkolla 9-vjeçare ‘Korb Muça’ në Nikël, Krujë, është një nga 62 shkollat që do të rindërtohen e rikonstruktohen me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe zbatim nga UNDP, një grant që në total kap vlerën 65 milionë euro”, tha ai.

Ahmetaj theksoi se së shpejti, nis zbatimin edhe faza e dytë e programit, që do të shtrihet në çdo bashki të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të kaluar.

Përfaqësuesi i firmës ndërtuese të shkollës “Korb Muça”, tha se shkolla do jetë dykatëshe me palestër, do të jetë kopshti, një fushë sportive dhe një kabinë elektrike. E gjitha kjo do ndërtohet për fshatin Çerek të Krujës.

Ai shtoi se ndërtimi do të bëhet sipas të gjithë parametrat bashkëkohorë europianë si nga ana ndërtimore, por dhe nga eficienca energjetike. E gjithë sipërfaqja e ndërtimit kopsht, shkollë, palestër është 2974 m 2, e gjitha në funksion të fshatit.

“Ne kemi filluar punën para tri javësh. Tani jemi në fazën e betonimit të themeleve. Ne po punojmë edhe ditët e diela që të kapim afatin që brenda 9 muajve ta dorëzojmë”, u shpreh ai.

Shkolla 9-vjeçare “Korb Muça” në Nikël, Krujë do jetë në shërbim të 180 nxënësve, 30 fëmijëve të moshës parashkollore, me 9 klasa, palestër, fushë sportive, eficiencë energjetike, standarde të BE-së.

Nga fondi i BE-së do ndërtohen 62 objekte arsimore në 11 bashki, 65 milionë euro nga grantet e BE-së. Qeveria gjermane financon 3 objekte arsimore me 11 milionë euro, Katari 3 objekte arsimore me 4,2 milionë euro, Kroacia 1 objekt arsimor me 1 milion euro, Sllovenia 1 objekt arsimor me 0.3 milion euro, Sllovakia 3 objekte arsimore me 0.25 milionë euro.

Janë 73 objekte arsimore që do rindërtohen nga donatorët brenda 2021. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.