KLGJ pranon kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë/ Shkarkohet gjyqtari i Korçës

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masën disiplinore shkarkim nga detyra për gjyqtarin M.K. të Gjykatës së rrethit Korçë.

Kryetarja Naureda Llagami njoftoi vendimin sipas të cilit KLGJ, në mënyrë unanime vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Korçës M.K.

Në përfundimet mbi hetimin e kryer, Inspektori i Lartë Artur Metani argumentoi se veprimet e mosveprimet e ndërmarra nga gjyqtari kanë cenuar besimin, që magjistrati duhet të përcjellë tek publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë, kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson, duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit M.K. më 2 prill 2020, bazuar në një kërkesë të depozituar nga ministri i Drejtësisë, pasi gjyqtari më 14.02.2019 vendosi/urdhëroi lirimin e të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997. Vendimi për lirimin u rrëzua nga Gjykata e Apelit Korcë gjashtë muaj më vonë.

Prej marrjes së detyrës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka ndarë shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera, lidhur me lirimet para kohe me kusht, duke përcaktuar si prioritet në fillimin e inspektimit të ILD-së, pikërisht këtë fenomen.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka në proces hetimi për vendimmarrje të ngjashme edhe magjistratë të tjerë dhe pas përfundimit të hetimeve do marrë vendimet përkatëse./j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.