Vetëdeklarimi i pasurisë/ OFL u nis kërkesën 5 shtetasve me precedentë penalë

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Operacioni Forca e Ligjit, në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 5 shtetasve.

Konkretisht OFL i nisi kërkesën shtetasit B. Q., banues në Fier, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i narkotikëve”; A. R., banues në Fier, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Vjedhja me armë”; R. S., banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”; M. P., banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”; E.(G.) A., banues në Ballsh, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.