FOTO/ Këndi Edukativ i Sigurisë Rrugore nga DSHPTRR, fëmijët njihen me rregullat

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit mbi sigurinë rrugore, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor vazhdon projektet e iniciativat konkrete për edukimin e fëmijëve.

Këto projekte kanë qëllim kryesor nxitjen e të mësuarit mbi rregullat dhe sinjalistikën e  qarkullimit rrugor përmes lojës. Procesi i të mësuarit i mbështetur në modele konkrete të sjelljes në trafik dhe i shoqëruar me shembuj të shumtë në praktikë, rrit efektshmërinë e edukimit rrugor të fëmijëve, për të kuptuar sa më qartë situatat në rrugë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa fotografi nga aktivitetet e zhvilluara në kuadër të projektit “Këndi Edukativ i Sigurisë Rrugore” të DSHPTRR në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

“Fëmijët njihen me rregullat e lëvizjes në rrugë, sinjalistikën bazë dhe si të kujdesen për veten dhe tjetrin”, – shprehet Rama.

Fëmijët, si pedalues apo si këmbësorë, por edhe si shoferë nesër, duhet të njihen me rregullat dhe rrezikun e përdorimit të rrugës, me sinjalistikën bazë dhe me rëndësinë e kujdesit për veten dhe tjetrin.

Njohuritë mbi trafikun, lëvizjen, të drejtat e detyrimet, nguliten më mirë që në fëmijëri, ku rol parësor ka shembulli në familje, shkolla si edhe aktivitetet edukative e didaktike siç pasqyron edhe projekti kombëtar i DPSHTRR “Siguria Rrugore” në bashkëpunim me bashkitë, policinë, shkollat dhe komunitetet.

/k.s//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.