Tremujori i III/ Humbjet në rrjetin energjetik u ulën me 5.1%

 

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Investimet në sektorin energjetik kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e performancës së furnizimit me energji për konsumatorët, ndërsa humbjet teknike dhe jo teknike janë ulur.

Në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas raportit mbi “Bilancin e energjisë elektrike”, publikuar së fundmi nga Instituti i Statistikave (INSTAT) humbjet në rrjet arritën vlerën 325 GWh nga 342 GWh, duke shënuar kështu një rënie me 5.1%. Humbjet në transmetim, sipas INSTAT, kanë rënë me 5.4% ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 3%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 3%, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 8.4%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi pak kohë më parë se niveli i humbjeve nga 45% në vitin 2013-n, zbriti në 21.7% në fund të vitit 2019, ndërsa niveli i arkëtimeve në këtë hark kohor thuajse është dyfishuar.

Krahasuar me vitin 2018, humbjet në rrjet ranë me 2.2%.

Referuar statistikave në vitin 2013, OSHEE arrinte të mblidhte vetëm 38 % të energjisë së konsumuar, ndërsa sot kjo shifër shënon 65% të energjisë së shpërndarë në rrjet.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.