“Sigurimi i vaksinës kundër COVID-19, prioritet”/ Rama drejt SHBA-së për të kontaktuar me prodhuesit

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ “Sigurimi i vaksinës sa më parë është një prioritet i luftës sonë kundër Armikut të Padukshëm dhe s’do lemë gur pa luajtur që vaksina të fillojë të vijë sa më parë në Shqipëri”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama i cili informoi se është nisur drejt Shteteve të Bashkuara për këtë qëllim.

“Kontakti sy më sy me prodhuesit e vaksinës i shërben këtij qëllimi. Rrugës për në Shtetet e Bashkuara”, tha Rama.

Më herët, Kryeministri ka deklaruar se “Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për të garantuar vaksinat për COVID-19, pavarësisht çmimit të tyre”.

Rama ka nënvizuar se fillimisht do të fillojë vaksinimi falas i të gjithë kategorive më vulnerabël dhe pastaj ta shtrihet në të gjitha shtresat e popullsisë.

Ndërkohë, qeveria shqiptare ka paguar edhe kaparin prej 3.9 milion euro duke u angazhuar menjëherë në financimin nëpërmjet aleancës Gavi dhe instrumentit Covax për vaksinën antiCOVID./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.