Moody’s: Shqipëria pozicion të qëndrueshëm në tregjet ndërkombëtare

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Pas vlerësimit në “B1” dhe me perspektivë “të qëndrueshme” në tetor 2020, Moody’s ka kryer rishikimin periodik për Shqipërinë.

Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, ditën e djeshme, ka publikuar rishikimin periodik të saj për Shqipërinë, një qëndrim mbi pozicionin e vendit tonë. Pas renditjes më të fundit në vlerësimin në “B1” dhe me perspektivë “të qëndrueshme” në muajin Tetor të këtij viti, agjencia thekson përsëri pozicionimin e qëndrueshëm të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare, pavarësisht dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit dhe pandemisë.

Ky rishikim periodik nuk ndryshon qëndrimin për institucionet dhe qeverisjen, duke rikujtuar pozitivisht angazhimin e vendit në procesin e integrimit në BE. Gjithashtu, konfirmon qëndrimin për faktorin ekonomik dhe fiskal, pas daljes së suksesshme në tregjet ndërkombëtare në 2020.

Në raportin e fundit të renditjes, Moody’s ka njohur efektet e pandemisë në ekonomi dhe ndikimin e pashmangshëm, por të përkohshëm negativ edhe në parametrat fiskalë.

“Megjithatë, kushtet e forta e të qëndrueshme ekonomike në vitet e fundit dhe përpjekja e përbashkët nga autoritetet për të luftuar ekonominë informale kanë përmirësuar tregun e punës”, thuhet në raport.

Në korrik 2020, qeveria miratoi amendime të mëtejshme në Ligjin Organik të Buxhetit, duke përfshirë një rregull fiskal për një balancë primare të paktën zero duke filluar nga viti 2023 e në vijim. Agjencia ka vlerësuar konsolidimin fiskal dhe rikthimin në indikatorë makroekonomikë fiskalë pozitivë në vitin e ardhshëm.

Në vlerësimin e saj të fundit, (përpara një muaji) Agjencia parashikon se ekonomia do të fillojë të ri-mëkëmbet, që prej vitit të ardhshëm (2021), ku parashikon një rritje pozitive prej 5%. Angazhimin drejt rrugës së Bashkimit Evropian dhe diversifikimi i ekonomisë dhe burimeve energjetike po vazhdon përmes prioriteteve politike dhe projekteve novatore në sektor, duke reduktuar varësinë nga burimet ujore.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se raporti i Moody’s pas rishikimit periodik nuk ndryshon qëndrimin për institucionet dhe qeverisjen, duke rikujtuar pozitivisht angazhimin e vendit në procesin e integrimit.

Po ashtu, komentoi ajo, konfirmon qëndrimin për faktorin ekonomik dhe fiskal, pas daljes së suksesshme në tregjet ndërkombëtare në 2020.

“Qeveria mbetet plotësisht e angazhuar të rikthehet drejt konsolidimit fiskal të financave publike me rënien e borxhit publik vitin e ardhshëm”, bëri të ditur ministrja.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.