“Mjekët më risollën në jetë”/ Violeta rrëfen betejën me COVID-19: Kjo sëmundje të ha, besojini mjekëve

 

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/ Violeta Zhupa, një zonjë nga Tirana ka rrëfyer betejën e saj për jetë a vdekje përballë COVID-19.

Sipas saj, ndërhyrja e mjekëve me oksigjen ka qenë vendimtare për mbijetesën përballë virusit të pabesë, koronavirusit të ri. Violeta në rrëfimin e saj, shprehet e emocionuar dhe e cilëson një rikthim në jetë, ndërsa nënvizon se është shumë e lumtur që mbesën dhe nipin do ta ridërgojë në shkollë, ashtu siç vepronte përpara se të infektohej me COVID-19.

“Jam Violeta Zhupa, banuese në Tiranë. Para një muaj e gjysëm më preku COVID-19. Faktikisht, fillimisht u prek bashkëshorti, që u kurua përmes mjekes së familjes Violeta Kacori, që ka bërë një punë shumë të madhe dhe ai e kaloi më lehtë. Burri im u shërua. Më tej, u preka unë, që u rëndova shumë. Telefonova numrin 127 dhe menjëherë më është përgjigjur shërbimi urgjencës. Për pak sekonda erdhën këtu dhe më morën drejt e në spital, pasi kisha nevojë për oksigjen. Kisha besim tek doktorët në spital dhe gatishmëria ishte maksimale. Më kanë marrë për disa sekonda, më çuan në urgjencë. Aty mjekët ishin të gjithë të gatshëm, kini besim tek doktorët, mos rrini në familje se do përkeqësoheni, se kjo është sëmundje që të ha, është e pabesë”,- rrëfen Violeta.

“Më çuan në katin e tretë, ku ishte doktor, Edmond Puçi. Najada Çomo ishte gjithashtu e përkryer. Ishim dy vetë në dhomë, jo të tre apo katër, siç thonë. Po ashtu ishte dhe mjeke Ermira Muça, që na erdhi në ndihmë. Të tre këta mjekë dhe infermierët u rrinin tek koka pacientëve. I ftoj të gjithë njerëzit të drejtohen tek spitali, të mos marrin vesh se ç’thonë ndonjë. U jap të gjithëve falenderimet, doktorëve, infermierëve, të gjithëve, infemiereve që edhe më ushqyen, pasi disa ditë nuk arrija të ushqehesha për shkak të oksigjenit”,- vijon ajo.

“Kam një nip e një mbesë, bëj shumë pas tyre. Dua të kthehem e t’i coj në shkollë. Falë doktorëve u bëra sërish mirë dhe kam mundësi t’i çoj në shkolla”,- përfundoi Violeta. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.