KOMENT – 2020-a viti i ”zi” për modën

MILANO, 5 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Viti 2020 ka rezultuar i ”zi” për modën, edhe pse blerjet në internet kanë zbutur pjesërisht situatën e saj përgjatë vitit pandemik.

Nëse shikoni fitimet, të dhënat flasin edhe më qartë.

Sipas Indeksit Global të Modës ”McKinsey”, kompanitë në sektor mund të raportojnë një rënie prej 90% (kundrejt një rritje prej 4% në 2019), si pasojë e uljes së shitjeve, të ndryshimit në sjelljet e konsumatorëve dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit.

Në edicionin e tij të pestë, studimi analizon të ardhmen e modës, e cila vlen 2,5 trilionë dollarë në të gjithë botën.

Ai bazohet në intervistat me menaxherët më të rëndësishëm dhe në një sondazh të 320 profesionistëve.

Europa duhet të ketë më të keqen, me një rënie të vlerësuar të shitjeve midis 22 dhe 35%, megjithëse pritet një rikuperim brenda muajve të parë të tremujorit të dytë të 2022, me kthimin e udhëtimeve dhe turizmit.

SHBA mund të regjistrojnë një humbje ndërmjet 17 dhe 32% dhe duken të destinuara për një rimëkëmbje më të ngadaltë deri në tremujorin e parë të 2023.

Kina ndoshta do të jetë vendi më pak i prekur, me një ulje të vlerësuar midis 7 dhe 20 % dhe pritet një kthim në nivelet e para krizës tashmë në tremujorin e katërt të këtij viti ose, më së vonë, në tremujorin e parë të 2021.

Sidoqoftë, këto janë padyshim skenarë, jo të sigurt. Nëse rikuperimi do të ishte i hershëm, falë përmbajtjes së virusit dhe vaksinës, shitjet botërore të modës mund të arrijnë nivelet e 2019 në tremujorin e tretë të 2022. Nëse do të ishte vonë, me infeksione të përsëritura dhe bllokime të reja, nivelet e 2019 do të rishikoheshin vetëm nga tremujori i fundit i vitit 2023.

Ndërkohë, interneti u ka ardhur në ndihmë kompanive. Megjithëse gati tre të katërtat e ndërmarrjeve kanë regjistruar humbje, raporti tregon se gjatë pandemisë, shitjet në internet pothuajse u dyfishuan, nga 16 në 29% të totalit dhe mbi 70% e menaxherëve të modës deklarojnë se biznesi në internet ka pasur 20% ose më shumë rritje në 2020.

Nëse analizojmë segmente të ndryshme, shohim se luksi dhe luksi i përballueshëm kanë provuar të jenë pak më elastik, me një tkurrje mesatare të shitjeve prej 30% dhe një rënie mesatare prej 20% në tremujorët midis shkurtit dhe qershorit./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.