Kim: Urime Shqipërisë për drejtimin e suksesshëm të OSBE, vlerësojmë vendosmërinë parimore të shprehur nga Rama

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/- Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka uruar Shqipërinë për drejtimin e suksesshëm të OSBE-së përgjatë gjithë këtij viti të vështirë.

Kim vlerëson edhe vendosmërinë parimore të shprehur nga Kryeministri Rama në deklaratën e tij përmbyllëse që kërkoi veprim për çështje të tilla si Bjellorusia, agresioni rus apo liritë themelore.

“Urime Shqipërisë për një drejtim të suksesshëm të OSBE përmes vitit më të vështirë. Ne vlerësojmë vendosmërinë parimore të shprehur nga Kryeministri Rama në deklaratën e tij përmbyllëse duke kërkuar veprim për çështje të tilla si Bjellorusia, agresioni rus, liritë themelore”, shprehet diplomatja amerikane.

Në reagimin e saj, ambasadorja Kim ka zgjedhur edhe një citim të Kryeministrit Rama gjatë fjalës përmbyllëse në Ministerialin e OSBE mbajtur dy ditët e fundit.

“Angazhimi i z. Rama: Por asgjë nuk e ndryshon mendjen tonë për punën e përkushtuar për t’u bërë pjesë e familjes së BE-së dhe asgjë nuk e ndryshon zemrën tonë, për të qenë të përkushtuar në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, me BE-në, duke qenë gjithmonë të harmonizuar me ta kur bëhet fjalë për politikën e jashtme”, citoi ambasadorja Kim.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.