Kategoria Superiore i bashkohet fushatës sensibilizuese kundër dhunës me bazë gjinore

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/  Federata Shqiptare e Futbollit i bashkohet sërish këtë sezon nismës së Organizatës “Të Ndryshëm & Të Barabartë” në fushatën “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”.

FSHF njofton se, “thirrjeve “Dëgjo-Beso-Mbështet” të të mbijetuarave të dhunës në familje dhe trafikimit, po i japin zë edhe futbollistët e kampionatit shqiptar. Në derbin e kryeqytetit, Tirana-Partizani, dhe në të gjitha ndeshjet e tjera të javës së gjashtë të Kategorisë Superiore, futbollistët do të mbajnë në krahë shiritin portokalli, për t’i treguar kujtdo që është duke përjetuar dhunë se nuk është vetëm, dikush e dëgjon, dikush tjetër e beson dhe të gjithë mund ta mbështesim! Ne besojmë se dhuna mund të luftohet vetëm përmes barazisë gjinore dhe synojmë të përdorim sportin si mjet komunikimi për të përfshirë në nismën “Dëgjo-Beso-Mbështet” veçanërisht të gjithë djemtë dhe burrat”.

“Ky është bashkëpunimi i dytë i Federatës Shqiptare të Futbollit me Organizatën “Të Ndryshëm & Të Barabartë” pas fushatës së zhvilluar në mars 2019 dhe në vijim FSHF do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në fushata dhe aktivitete ndërgjegjësuese kundër dhunës, trafikimit dhe mbrojtjes së viktimave të dhunës me bazë gjinore. Bashkoju sfidës portokalli “Dëgjo-Beso-Mbështet” edhe ti! Raportoje dhunën!Mbroni viktimat!”,- njofton FSHF. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.