ITALI – Operacion kundër një rrjeti ndërkombëtar të imigracionit klandestin

ROMË, 5 dhjetor /ATSH-AFP/ – Policia italiane arrestoi 19 persona në kuadër të një operacioni nga veriu në jug të gadishullit kundër një rrjeti ndërkombëtar të imigracionit klandestin, njoftoi sot Ministria e Brendshme.

Një hetim i nisur në 2018, pas dhjetëra zbarkimesh të migrantëve në jug të Siçilisë, të gjithë të mbërritur përmes Greqisë ose Turqisë, ka zbuluar një rrjet kriminal të përbërë nga kurdo-irakianë, afganë dhe italianë, i cili organizonte kundrejt pagesës hyrjen e paligjshme të migrantëve në Itali ose vende të tjera europiane dhe më pas u mundësonte atyre marrjen e një leje qëndrimi duke përdorur dokumente të rreme (kontrata pune…)

“Ky rrjet kriminal, i cili kishte baza veçanërisht në Bari (jug), Torino, Milano dhe Ventimiglia (në veri), organizonte hyrjen, qëndrimin dhe kalimin në Europën veriore të migrantëve nga Irani, Iraku, Afganistani dhe Pakistani”, theksoi ministria në një deklaratë.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 17 telefona, katër laptopë, dokumente të ndryshme dhe 25 000 euro.

Rrjeti i kapur përbënte një mjet lidhës me grupet e tjera kriminale aktive në Turqi dhe në Greqi duke organizuar transportin e migrantëve drejt destinacioneve të tyre të privilegjuara në këmbim të shumave të mëdha të parave”, sipas komunikatës./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.