Investimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Balluku: Ndërtimi i marinës së jahteve kthen Durrësin në qendër të rëndësishme turistike

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/- Në Portin e Durrësit do të realizohet një ndër investimet më të mëdha, i cili do të transformojë totalisht pamjen aktuale të këtij porti duke i dhënë atij një pamje dinjitoze. Sipas masterplanit të hartuar nga Qeveria Shqiptare, porti i mallrave do të rialokohet në zonën e Porto Romanos, ndërkohë që porti aktual do t’i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë, i cili do t’a kthejë atë në një port turistik.

Për këtë projekt të rëndësishëm, Qeveria Shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Qeverinë e Emirateve të Bashkuara. Përmes këtij investimi, synohet që porti i ri i Durrësit të kthehet në një pikë të rëndësishme jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi që zhvilloi në Portin e Durrësit, e shoqëruar nga deputetja, Milva Ekonomi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu, tha se ka ardhur momenti që ky port të marrë rëndësinë që i takon, ndërsa e cilësoi investimin që pritet të nisë, me ndikim të madh jo vetëm në ekonominë lokale të qytetit, por edhe atë kombëtare.

“Synimi i Qeverisë është që Durrësi, sidomos edhe pas tërmetit të 26 nëntorit, të kthehet në një qytet turistik me vlerë të madhe jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Kështu që ne shumë shpejt do nisim nga puna. Kemi dizenjuar disa hapa të cilat janë të rëndësishme, duke filluar nga rialokimi i portit komercial aktual dhe deri tek nisja e projektit, pra të ballinës ujore, por edhe të basenit, i cili do të kthehet në një marinë për jahtet”, u shpreh Balluku.

Duke vlerësuar si shumë të rëndësishme të dy projektet, si ai për rialokimin e portit ashtu dhe për kthimin e portit aktual në një port totalisht turistik, ministrja Balluku njoftoi se porti i ri i Durrësit do të lidhet me zonën e Porto Romanos, e klasifikuar si një zonë e lirë ekonomike, me një linjë hekurudhore e cila do të lehtësojë lëvizjen dhe qarkullimin e mallrave.

“Rialokimi i portit sigurisht na jep mundësi ne që të risim kapacitetet. Porti i ri do të nisë dhe do të ndërtohet mbi bazën e një parashikimi të volumeve të 10-vjeçarit të ardhshëm dhe duke lënë hapësira për më pas, për dekadat e tjera për të pasur zhvillim. Ky është elementi i parë. Element i dytë është që porti i ri i Durrësit do të ketë një zonë të lirë ekonomike, e cila ndodhet në Spitallë. Ne kemi lënë një pjesë të kësaj zone në dispozicion për zonën ekonomike. Gjithçka që do të ndodhë në Durrës nga ky moment e tutje do jetë një sfidë e madhe për të gjithë ne, pasi flitet për projekte shumë të mëdha, që të dyja, edhe rialokimi i portit edhe pjesa e ballinës ujore dhe marinës”, theksoi Balluku.

Kreu i APD, Pirro Vengu theksoi rëndësinë e rialokimit të portit pasi siç u shpreh ai, “Porti i Durrësit ka mundësi shumë të vogla zgjerimi, i rrethuar nga mjedisi urban ndërsa kemi edhe probleme me ndotjen nga përpunimi i mallrave, çka e bën bashkëjetesën shumë të vështirë“.

Masterplani të cilin ne jemi duke e finalizuar dhe së shpejti e sjellim për miratim në qeveri, tha Vengu, përputhet me vizionin e qeverisë për të rikthyer portin në port turistik me lehtësitë e zhvillimit si aset turistik dhe planin për të zhvendosur të gjithë aktivitetet tregtare dhe kargo në Porto Romano si një vend ideal për efekt të thellësisë që ofron, por edhe rrethanave gjeografike ideale për sigurinë lundrimore.

Ministrja Balluku tha se për këtë studim jemi mbështetur te partnerët ndërkombëtarë.

“Prej kohësh po punojmë me kompani ndërkombëtare për të dizenjuar kriteret e nevojshme për rialokimin e portit të Durrësit nga kriteret teknike te ato financiare, ndikimi në mjedis dhe çdo hallkë tjetër”, tha ajo.

Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi theksoi në fjalën e saj se kthimi i portit të Durrësit në një port turistik do ti japë një vlerë të shtuar qytetit pasi rindërtimi i ka kthyer mundësinë për të rregulluar të gjithë pasurinë arkeologjike që ka, për ta bërë një atraksion për Mesdheun.

“Do t’i japë një impakt të jashtëzakonshëm edhe jetës sociale dhe ekonomike të familjes durrsake”, theksoi Ekonomi.

Më tej, ministrja Balluku tha se rialokimi i portit na jep mundësinë ne që të rrisim kapacitet, pasi do të ndërtohet mbi bazën e një parashikimi të volumit të 10 vjeçarit të ardhshëm dhe duke lënë hapësira për zgjerim e zhvillim.

Porti i ri i Durrësit, do të ketë një zonë të lirë ekonomike në Spitallë që do të lidhet me një linjë treni midis kalatave të portit dhe kësaj zone.

“Shqipëria e rajoni do të përfitojnë një port ndërkombëtar të përmasave dhe parametrave teknik modern, në të cilin do të kenë akses edhe vendet e tjera të rajonit që nuk kanë dalje në det si Maqedonia e Kosova”, deklaroi ministrja

Ministrja theksoi edhe rëndësinë e emrit të kompanisë që do të investojë në portin e Durrësit si promocion për vendin

“Duke patur një kompani kaq prestigjioze, si “Emar”, të mirënjohur për ndërtimet në të gjithë botën përfshirë Burj Khalifa, padyshim edhe investitorët që do të sjellin për të blerë në zonën e ballnës ujore do të jenë një grup jo vetëm do të investojë në Shqipëri, por edhe do të kthehet në një grup promocioni për të gjithë vendin”, u shpreh Balluku.

Ndërkohë, Porti aktual i pasagjerëve mbetet në Durrës, kjo edhe për efekt se qeveria ka investuar ndër vite dhe është nëj prej terminaleve me modern që ka Adriatiku dhe Joni sot.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.