Humb betejën me COVID-19, Kasem Hysenbelliu/ Mesazhe ngushëllimi

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kasem Hysenbelliu, themelues dhe drejtues në fushën e medias, është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, pasi humbi betejën me COVID-19.

Meta: Tronditës dhe të pabesueshëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu

Presidenti Ilir Meta e konsideroi sot tronditës dhe të pabesueshëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu.
“Në këto momente të vështira jam pranë nënës, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve, miqve, kolegëve e gazetarëve dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendësueshme. Solidaritet me të gjithë gazetarët, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë misionin dhe ëndrrën e lënë përgjysmë nga Presidenti Hysenbelliu, për të ndërtuar një media të lirë, zëri i çdo qytetari në nevojë dhe çdo kauze sociale, zëdhënëse e pakompromis e opinionit publik. I paharruar kujtimi i Kasem Hysenbelliut! U prehsh në paqen e merituar”, tha Meta.
Basha: Qytetar i angazhuar dhe luftëtar i medias së lirë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu po ashtu hidhërimin për lajmin tronditës për ndarjen nga jeta të Kasem Hysenbelliut, një qytetar i angazhuar dhe luftëtar i medias së lirë. “Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Hysenbelliu për këtë humbje të rëndë! Lutjet dhe mendimet e mia janë sot me ta, si dhe me miqtë dhe kolegët. Për ne që e kemi njohur personalisht, Kasemi do të mbetet shembulli i njeriut kurajoz, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë dhe një përkrahës i të drejtës dhe të vërtetës. Ai do të kujtohet si një ndër kontributorët e spikatur në fushën e medias. Trishtimi dhe dhimbja janë të mëdha për këtë humbje tragjike. U prehtë në paqe”, tha Basha.
Veliaj: Ditë e trishtë për gazetarinë

Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha se “Kasëm Hysenbelliu investoi në median shqiptare me guximin e njeriut që e donte gazetarinë e mirë dhe për shumë vite administroi me sukses dy televizione”. “Sot ai u nda nga jeta – ditë e trishtë për gazetarinë dhe këdo që e njohu e punoi me të. Ngushëllime familjes! U prehtë në paqe”, tha Veliaj.

Balla: Lamtumirë miku im i mirë, Kasem Hysenbelliu
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu po ashtu ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të Kasem Hysenbelliut.
“Lamtumirë miku im i mirë, Kasem Hysenbelliu”, tha Balla.
Ruçi: Lamtumirë, Kasem, miku ynë i shtrenjtë
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi përcolli po ashtu mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të themeluesit të TV Fax News, Kasem Hysenbelliu  
“Ndaj dhimbjen me nënën, bashkëshorten dhe fëmijët e Kasëmit, në ditën më të rëndë të jetës së tyre. Kasëm Hysenbelliun do ta kujtojmë e nderojmë përgjithmonë si një qytetar i denjë i Shqipërisë, si një kontribues mendjehapur i konsolidimit të medias së lirë, në shërbim të interesit publik e qytetar, si një sfidant i vështirësive për tiu përkushtuar vendit, shoqërisë dhe qytetarëve. Lamtumirë, Kasem, miku ynë i shtrenjtë!”, shprehet në mesazhin e tij të ngushëllimit kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Sejko: Model në fushën e medias
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko shprehu hidhërimin dhe keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së Kasem Hysenbelliut, i cili, shprehet Sejko, fitoi shumë beteja në jetë.
“Një njeri i guximshëm e me iniciativa në jetën publike, duke u bërë model në fushën e medias, pa kompromise dhe luftëtar i fjalës së lirë. Ngushëllime të sinqerta për këtë humbje të madhe, familjes, miqve dhe stafit të drejtuar nga Hysenbelli. U prehsh në paqe, miku im”, shprehet Sejko.
/m.m/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.