DPSHTRR/ 11-mujori, rritje rekord e të ardhurave dhe mbi 72 mijë shërbime risi

 

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Mbi 1.9 milionë qytetarë kanë marrë shërbimet e nevojshme pranë sporteleve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor gjatë periudhës janar-nëntor, ndërsa të ardhurat llogariten gati 2 miliardë lekë, ose 60% më shumë se në vitin 2013.

Sipas statistikave të publikuara nga DPSHTRR gjatë kësaj periudhe u shënua një rekord në numrin e shërbimeve të ofruara dhe ato risi.

Referuar të dhënave , rezultojnë 1 933 422 qytetarë/subjekte të shërbyer këtë 11-mujor ose 79% më shumë se në vitin 2013, duke konsideruar dhe pezullimin pjesor të shërbimeve nga 13 marsi deri më 14 prill për shkak të situatës së pandemisë. Janë ofruar 72 717 shërbime risi gjatë periudhës.

“Në 11-mujorin 2020, post tërmet e me frenimin e COVID-19, me mbylljen, masat e kufizimet, DPSHTRR shënon rekorde në volum shërbimesh, rendiment e të ardhura. Falë rezultateve 2019-2020, optimizimit, risive, mirëadministrimit, jo vetëm përballuam vitin më të vështirë të emergjencave kaq të rënda, por edhe riinvestuam fitimet si ent për modernizim, sisteme, informatizim, transformim infrastrukture fizike e virtuale, rritje kapacitetesh, rritje pagash, punësime të reja në struktura të reja e role provizore, projekte pioniere, programe edukuese e kulture automobilistike, transparencë, identitet e memorie institucionale, standarde, cilësi, siguri, kontroll, besueshmëri“, bën të ditur DPSHTRR.

Po ashtu thekson DPSHTRR, financuam me rreth 3 milionë euro pagat e luftës për muajin qershor për subjektet e transportit pa aktivitet, si edhe kompensimin 100% të taksës vjetore TVMP për gjithë mjetet e transportit të udhëtarëve.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.