Basha me fermerët e Novosej dhe Shishtavecit në Kukës: Shqipëria po mbytet me prodhime të subvencionuara të fermerëve të huaj

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë vizitës në Kukës, ishte edhe në Novosej dhe Shishtavec, dy zonat e njohura për kultivimin e patates.

Basha dëgjoi problematikat e banorëve dhe e konsideroi mëkat, mënyrën sesi është trajtuar kjo zonë nga shteti, duke u braktisur plotësisht.

“Është mëkat që një zonë me kaq shumë traditë ku prodhimet tuaja kanë bërë emër në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin ta gjej në një varfëri të tillë. Është mëkat i dyfishtë që në një kohë kur njerëzit po vuajnë për ushqimet bazë, ne nuk arrijmë të garantojmë shitjen e patates tuaj dhe nuk arrijmë të lajmë as shpenzimet që ju keni hedhur për ta rritur këtë patate. Shqipëria po mbytet me prodhime të subvencionuara të fermerëve të huaj. Pse? Sepse ne nuk jemi në krahun tuaj, sepse qeveria nuk është në krahun tuaj. Nesër ju garantoj që do të jem në krahun tuaj, jo me fjalë por me subvencione, me mbështetje direkte për fermerët. Kjo është rruga e vetme për të shpëtuar bujqësinë, për të ndalur emigracionin, se dhe t’ju iki gjithë rinia në emigracion, ndërkohë që ka pasuri të jashtëzakonshme vendi, ka mundësi të jashtëzakonshme”, – iu tha Basha banorëve të Novosej.

Pas Novosej, Basha u ndal edhe në fshatin tjetër të njohur në mbarë vendin për kultivimin e patates, në Shishtavec. Ai u tha banorëve se nuk premton mrekullira, por i garantoi ata se qeveria e ardhshme do të jetë në krah të tyre për t’i ndihmuar dhe jo për t’i zhvatur.

“Nuk do të bëjmë mrekullira, por kur e ke qeverinë në krah dhe jo duke gërrmuar xhepat, por duke të ndihmuar me aq sa mundet, të jeni të sigurt që gjërat do të jenë mirë për të gjithë këtë familje të madhe. Sepse qeveria është një familje e madhe. Kështu që do keni përkrahje, do keni mbështetje nga qeveria e ardhshme. Unë ju jap fjalën që në çdo aspekt do kemi sy për të parë, vesh për të dëgjuar problemet tuaja dhe së bashku do bëjmë maksimumin për t’i zgjidhur”, – u shpreh Basha gjatë takimit me banorët e Shishtavecit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.