Vaksina antiCovid/ Manastirliu: Jemi në proces negociimi me disa kompani, do ta sigurojmë në kohë

Tiranë, 4 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot se jemi në proces negociimi me disa kompani dhe se vaksina do sigurohet në kohë. Sipas saj, janë hedhur disa hapa.

Në konferencën për shtyp duke iu përgjigjur pyetjes për sigurimin e vaksinës antiCovid ministrja Manastirliu theksoi se “qeveria shqiptare që në krye të herës është angazhuar në disa drejtime për të siguruar në kohë dhe për të patur akses në vaksinën e sigurt, efektive, në momentin që ajo të bëhet e disponueshme. Aktualisht ne kemi realizuar disa hapa”.

“Hapi kryesor është nëpërmjet angazhimit direkt dhe financiarisht me instrumentin e Covax. Është bërë tashmë parapagimi në vlerën 3.9 milionë dollarë për të mundësuar në momentin më të parë që të jetë e mundur. Shqipëria duke bërë këtë parapagim është përfshirë në dritaren e parë të negociatave për të aksesuar vaksinën”, tha Manastirliu.

Manastirliu gjithashtu shtoi se Shqipëri është duke vlerësuar paralelisht dhe marrëveshjet me disa vende të tjera përveç përmes strukturave të BE-së.

“Paralelisht jemi duke vlerësuar në disa drejtime qoftë përmes shteteve të Bashkimit Europian, edhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë me ta, mundësinë për të aksesuar vaksinën e disponueshme edhe nëpërmjet strukturave të BE, por edhe nëpërmjet vetë vendeve të BE, në funksion të aksesit të sigurt të vaksinës”, tha Manastirliu./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.