Udhëzimi/ Llogaria e biznesit nuk do të bllokohet nëse nuk ka detyrime

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Llogaria e biznesit nuk do të bllokohet nëse nuk ka detyrime dhe nëse detyrimet ligjore nuk janë të përcaktuara për administratorin me vendim Gjykate.

Një udhëzim i nxjerrë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë lidhur me bllokimin e llogarive për shkak të detyrimeve bëri që komuniteti i biznesit të ishte i paqartë dhe të kundërshtonte udhëzimin.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se udhëzimi i nxjerrë nga MFE është në zbatim të ligjit “Për procedurat tatimore” dhe synon të adresojë dhe unifikojë problematikën e ngritur nga bankat dhe tatimpaguesit për mënyrën e operimit të administratës tatimore në lidhje me mbledhjen me forcë të detyrimeve.

“Nisma për kryerjen e ndërhyrjes legjislative nëpërmjet udhëzimit erdhi si rezultat i kërkesave të shoqatave të biznesit dhe pas një diskutimi të gjatë në Këshillin e Investimeve, i cili përfaqëson dhe përcjell shqetësimet e komunitetit të biznesit. Si rezultat i konsultime patëm një kërkesë që bllokimi i llogarive të administratorëve të mos ndodhte automatikisht”, tha ministrja Denaj gjatë një interviste në media.

Vendosëm, shpjegoi ajo, që në udhëzim ta bënim më të qartë që llogaria e administratorit nuk duhet të përzihet me llogarinë e ndërmarrjes deri në momentin që administrata tatimore e qartëson pse do të shkojë ta bllokojë dhe të ketë një vendim gjyqësor.

“Llogaria e biznesit nuk do të bllokohet nëse nuk ka detyrime dhe nëse detyrimet ligjore nuk janë të përcaktuara për administratorin me vendim Gjykate”, siguroi ministrja. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.