TIRANË, 4 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Durrës Fredinat Xhaferi deklaroi sot se rindërtimi po kryhet me dyfishin e çmimit duke ftuar prokurorinë të hetojë.
Në një deklaratë për mediet, Xhaferri shprehet se një vit më parë, tërmeti i 26 Nëntorit e shndërroi Durrësin në qytetin më të dëmtuar. Por një vit më pas, sipas tij, Durrësi po vuan koston shumë të lartë dhe të pamerituar të babëzisë së korrupsionit.
“Vetëm numri i shkollave të dëmtuara nga tërmeti ishte 32. Edi Rama u premtoi durrsakëve se shkollat do të rindërtoheshin me shpejtësi dhe do të ishin gati për vitin e ri shkollor, por këtë premtim e mori era. Sot, një vit pas tërmetit, asnjë nga shkollat e Durrësit nuk ka përfunduar. Ato janë parë si një mundësi për të ndarë paratë e taksapaguesve shqiptarë për klientët e zakonshëm të qeverisë”, u shpreh Xhaferri.
Sipas tij, mjafton të krahasojmë tenderine qeverisë dhe atë të Bashkimit Europian për shkollat pasi të dy tenderat u hapën në të njëjtën kohë.
“Bashkimi Europian do të ndërtojë 1 shkollë me 680 mijë euro, qeveria do të ndërtojë në Durrës 1 shkollë me 1.2 milionë euro, me gati dyfishin e çmimit. Ky fakt i thjeshtë bën të qartë për çdo durrsak dhe qytetar tjetër shqiptar se programi i rindërtimit nga tërmeti është shndërruar në programin më të madh të përfitimit, abuzimit dhe vjedhjes”, shprehet ai.
Po ashtu, Xhaferri shton se shkolla “14 Nëntori” është simbol i korrupsionit të qeverisë dhe bashkisë.
“Shkolla u rikonstruktua 1 vit para tërmetit me rreth 1 milionë euro, fond ky i mjaftueshëm për të ndërtuar një shkollë nga e para. Vangjush Dako dha 1 milionë euro, por ato u zhdukën në 26 nëntor. Askush nuk kërkon llogari për cilësinë e dobët të punimeve të kryera, që kanë vendosur nxënësit në rrezik. Tani, do të harxhohen edhe 1.2 milionë euro të tjera që shkolla të bëhet nga e para. Po të shkojmë pak më tutje, është gjimnazi “Naim Frashëri”. Durrsakët besojnë se pas shembjes së shkollës fshihen afera korruptive, plane për ndërtime kullash mbrapa saj. Deri në mars, kur shkollat u mbyllën nga pandemia, në këtë shkollë nxënësit kanë vijuar mësimin normalisht, pa u lajmëruar se shkolla ishte në rrezik shembjeje”, shprehet ai. /j.p/r.e/