TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot shkollën e rindërtuar “Llesh Nik Daka” në Lezhë.
“Në shkollën e rilindur nga projekti 3D në një realitet mbresëlënës, gati për të pritur 535 nxënës dhe mësuesit e tyre, ku e ku më e bukur e më e fortë dhe me kushte optimale sipas standardeve europiane, njësoj si në shkollat e Bashkimit Europian”, u shpreh Rama.
Ministri i Shtetit për Rindërtimit Arben Ahmetaj u shpreh se, “kjo shkollë ka 20 klasa, 4 laboratorë dhe 4 njësi për fëmijët e kopshtit”.
“Ambientet sportive janë po kaq moderne dhe të përshtatshme si shkollat e tjera”, tha Ahmetaj.
Kryeministri Rama falënderoi inxhinierët që ndoqën punimet dhe punëtorët që i realizuan për cilësinë dhe shpejtësinë.
“Bravo. Na keni nderuar me shpejtësinë dhe cilësinë e punimeve”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu i la porosi ministrit Ahmetaj që të kontaktojë me shtëpitë botuese të cilat kanë libra, që i kanë stoqe t’i shpërndajnë në shkollat e rindërtuara.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu tha se, “godina ekzistuese ishte e vjetër dhe kostoja për numrin e nxënësve ishte e madhe. Ndërsa infrastruktura e re i ka dhënë një tjetër peshë arsimimit këtu”.
Rama vizitoi edhe ambientet e kopshtit, palestrën dhe ambientet sportive në oborrin e shkollës.
Në zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 janë 143 shkolla që po rindërtohen sipas standardeve europiane. /a.a/r.e/