Ndahet nga jeta ish-kryebashkiaku i Elbasanit, Ëngjëll Dakli/ Mesazhet

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Ish-kryebashkiaku i Elbasanit, Ëngjëll Dakli ndërroi jetë sot pasi humbi betejën me COVID-19.

Balla: Kontribut të çmuar në modernizimin e qeverisjes vendore

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Engjëll Dakli.

“Elbasani humbi sot Engjëll Daklin, një personalitet të rëndësishëm, i cili në vitet e para pas ndryshimeve demokratike, u zgjodh deputet, ministër dhe kryetar i Bashkisë Elbasan (1996-2000)”, tha Balla.

Balla tha se “Elbasani do ta kujtojë gjithmonë si qytetarin e vet të nderit, me kontribut të spikatur në modernizimin e qeverisjes vendore dhe për projektet që inicioi për zhvillimin rajonal të Elbasanit”.

Ai tha se “Engjëll Dakli ishte një politikan i moderuar dhe bashkëpunues në dobi të zhvillimit të Elbasanit”. “Ngushëllime të sinqerta familjes së nderuar Dakli”, tha Balla.

Meta: Qytetar model dhe intelektual kalibri

Presidenti Iliri Meta në mesazhin për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Punës dhe ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Ëngjëll Dakli i shpreh ngushëllime familjes dhe miqve.
“Ëngjëll Dakli, përfaqësues dinjitoz i një familjeje fisnike me tradita qytetare dhe demokratike, do të kujtohet përherë me nder, respekt e mirënjohje, si një qytetar model dhe i përkushtuar, intelektual kalibri dhe mbi të gjitha si një nëpunës i ndershëm i shtetit, që aq shumë e deshte përparimin e Shqipërisë dhe që me aq pasion punoi për modernizimin e qeverisjes vendore të Elbasanit”, u shpreh Meta.
Basha: Elbasani humbi qytetarin e tij të parë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu hidhërimin për lajmin për ndarjen nga jeta të ish-ministrit, ish-deputetit dhe ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Engjëll Dakli.
“Ngushëllimet e mia më të ndjera dhe lutjet e mendimet e mia janë me bashkëshorten Ortenca, djemtë Anrin dhe Martinin dhe miqtë e tij të shumtë. Me ikjen e Ëngjëll Daklit, Elbasani humbi qytetarin e tij të parë ndërsa Partia Demokratike një aktivist të shquar me kontribut të madh në qeverisjen qendrore e lokale”, u shpreh Basha.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.