Ndahet nga jeta ish-deputeti i PS-së, Marko Bello

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello u nda sot nga jeta në moshën 59-vjeçare, pasi humbi betejën me COVID-19.

Marko Bello, lindi më 12 shtator të vitit 1961.

Ai ishte ish-deputet i Partisë Socialiste si dhe ka mbajtur postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar. Në periudhën 1997-2000, Marko Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe më pas zv.ministër i Mbrojtjes. Marko Bello ishte dhe një nga anëtarët themelues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

Të shumta ishin mesazhet për humbjen e parakohshme të Bellos.

Meta: Humbje kaq e madhe që na tronditi të gjithëve

Presidenti Ilir Meta ka shprehur dhimbje dhe njëherazi ngushëllime për ndarjen nga jeta të  ish-deputetit Bello.

“Sa shumë dhimbje nga kjo ikje e parakohshme e një miku, bashkëpunëtori, kolegu, intelektuali aktiv, qytetari model e familjari shembullor! Zoti ju dhëntë forcë Silvanës, fëmijëve e të afërmve për këtë humbje kaq të madhe, që na tronditi të gjithëve këtë mëngjes! “Ngushëllimet më të ndjera! Përherë i paharruar në kujtimet tona. Lamtumirë i shtrenjti ynë Marko Bello”, shprehet ai.

Ruçi: Iku një zë i fuqishëm qytetar dhe i qytetarëve

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur sot dhimbjen për ndarjen nga jeta të ish deputetit Marko Bello.

“Sot iku Marko Bello. Familja humbi njeriun më të dashur, bashkëshortin dhe prindin, mungesa e të cilit do t’u shkaktojë një dhimbje të thellë.  Ne humbën shokun, mikun dhe kolegun tonë të rrallë e të respektuar. Shqipëria humbi një personalitet që i ka shërbyer me devocion si deputet për tre legjislatura, si ambasador, si ministër e si profesor. Por mbi të gjitha, të gjithë humbëm një qytetar të denjë e patriot të madh”, shprehet Kryeparlamentari Ruçi.

“I zgjedhur tri herë si deputet, Marko ishte një zë i fuqishëm qytetar dhe i qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Ka drejtuar me kompetencë e përkushtim disa komisione parlamentare dhe i ka dhënë nder, dinjitet e hijeshi figurës së deputetit të Kuvendit Shqipërisë. Ndaj dhimbjen e thellë për humbjen e Markos dhe, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta”, shprehet në mesazhin e tij të ngushëllimit Kryetari i Kuvendit.

Balla: Gjatë këtyre javëve beteje shpresuam çdo moment se Marko do t’ia dilte

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i ka shprehur ngushëllime familjes për humbjen e parakohshme nga jeta të Marko Bellos.

“Lamtumirë kolegut, ambasadorit, profesorit dhe mikut të dashur Marko Bello. Gjatë këtyre javëve beteje shpresuam çdo moment se Marko do t’ia dilte. Sepse Marko ishte një njeri i fortë e plot energji. Unë kam patur personalisht mundësinë ta njoh prej vitit 1997 asokohe Ambasador i Shqipërisë në Rumani, për të vijuar si deputet e anëtar i Kabinetit Qeveritar deri në vitin 2005, më pas së bashku kolegë në Grupin Parlamentar Socialist në Kuvendin e Shqipërisë. Ngushëllimet më të sinqerta Silvës dhe fëmijëve për ndarjen e parakohshme të bashkëshortit dhe babait tyre të dashur. U prehsh në paqe, miku i mirë Marko Bello”, shprehet Balla.

Koçi: Një lajm i kobshëm ikja jote Marko, na preve krahët

Zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi në mesazhin e tij të ngushëllimit shprehet: Një lajm i kobshëm ikja jote Marko! Na preve krahët. Shok qysh në Gjuhët e Huaja e pastaj si koleg në grupin parlamentar të PS. Diplomat, pedagog, politikan e mbi të gjitha shok me një buzëqeshje tërë jetën. Lamtumirë”.

Basha: Marko Bello do të kujtohet si një qytetar dhe politikan i principtë dhe i moderuar

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të diplomatit dhe ish-deputetit Marko Bello.

“Mësova me hidhërim për ndarjen nga jeta të ish-ministrit dhe ish-deputetit Marko Bello. I shpreh ngushëllimet e mia familjes Bello për humbjen e babait dhe bashkëshortit të përkushtuar, dhe të gjithë miqve dhe kolegëve që humbën të afërmin dhe mikun e tyre të dashur. Marko Bello do të kujtohet si një qytetar dhe politikan i principtë dhe i moderuar, i prirur drejt bashkëpunimit për hir të interesave të vendit. U prehtë në paqe”, shprehet Basha.

Gjermeni: Mirënjohje për gjithë kontributin dhe angazhimin që dha ndër vite

“Trishtim e dhimbje ndarja e parakohshme nga jeta e kolegut Marko Bello”, shprehet deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni duke shprehur ngushëllime familjes për ndarjen nga jeta të Marko Bellos.
“Mirënjohje për gjithë kontributin dhe angazhimin që dha ndër vite në politikën shqiptare. Do të kujtohet gjithmonë me nderim e respekt nga kolegët dhe miqtë!
Ngushëllimet më te ndjera familjes”, shprehet Gjermeni në mesazhin e ngushëllimit.
Dokle: Nuk do ta harroj kurrë buzëqeshjen tënde të pandarë

Ish-deputeti i PS, Namik Dokle shprehet: Sa i trishtë. Sa i pabesueshëm ky lajm i mesnatës për vdekjen e mikut, kolegut, Marko Bello. Pa i mbushur ende të gjashtëdhjetat, na e mori covidcolera! Ç’bëhet kështu? Po na bëhet fejsbuku varrezë. Lamtumirë, i dashur Marko! Nuk do ta harroj kurrë buzëqeshjen tënde të pandarë, shakanë tënde mbushur me mirësi”.

Duka: Një humbje e madhe për sferën tonë publike

Kreu i PAA-së, Agron Duka ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Bello. “Një lajm i hidhur, i pa besueshëm edhe në këtë vit të mbrapsht. Miku buzagaz, bashkëpunëtor i kohëve të vjetra dhe sfidave të reja, ishte një vlerë e shtuar në jetën e secilit prej nesh që kemi pasur fatin të ndajmë me Markon momente jete. Një humbje e madhe për sferën tonë publike, të cilës do t’i mungojë angazhimi i një intelektuali aktiv si Profesor Marko. Ngushëllimet më të ndjera familjes Bello, i jam pranë në këtë dhimbje tronditëse. Lamtumirë Marko. I paharruar kujtimi yt”, shprehet Duka.

Mediu: Mik nga më të mirët që mund të kesh në jetë

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu shprehet se “me hidhërim të mora lajmin se miku ynë Marko Bello ndërroi jetë, në luftë me COVID-in”.

“Marko njeri plot jetë që mbushte me gëzim e të qeshura çdo ambient ku ishte prezent. Marko politikan pa komplekse, Ministër dhe deputet mendje hapur dhe i ndershëm. Mbi të gjitha mik nga më të mirët që mund te kesh në jetë. Ky është një moment i vështirë për ne miqtë e tij, por veçanërisht për Silvën, fëmijët dhe familjen e tij. Lutemi që Zoti të jetë pranë tyre në këtë moment të vështirë. U prehsh në paqe miku im. Do të kujtojmë gjithmonë buzëqeshjen dhe humorin tend”, shprehet Mediu.

Patozi: Trishtim për humbjen e një miku të veçantë

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi shprehet se “me Marko Bellon jemi njohur, kur asnjëri prej nesh nuk merrej me politikë, ndaj edhe nuk kishin shumë arsye për të pasur mosmarrëveshje dhe, aq më pak, për t’u grindur. Pak vite më vonë koha apo fati na vendosi në dy anët e kundërta të barrikadës. Dhe kjo jo vetëm nuk e cenoi miqësinë, por jam i sigurt se e shtoi mirëkuptimin dhe respektin midis nesh”.

“Kam bindjen se merita kryesore për këtë lloj marrëdhënieje, që haset kaq rrallë në viset tona të ashpra, i takon atij. Sot mësova me trishtim se Marko u nda nga kjo botë, pas një beteje të gjatë me armikun e padukshëm, të cilin ende një pjesë prej nesh nuk e pranojnë se ekziston. Ndoshta ikja e parakohshme e një shqiptari të njohur dhe të mirë mund të shërbejë që kjo shoqëri ta marrë pak më seriozisht këtë pandemi të flamosur, që nuk po kursen askënd”, shprehet Patozi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.