Masat për epideminë/ Manastirliu: 1600 shtretër për përballimin e situatës

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një komunikimi me mediet ka deklaruar se që prej ditës së parë të pandemisë dhe deri sot puna nuk ka ndalur në asnjë moment, për të garantuar mbrojtjen dhe mbështetjen e stafeve mjekësore dhe rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për përballimin e situates.

“Kemi garantuar bonusin special për çdo mjek, infermier dhe çdo punonjës mbështetës në vijën e parë të luftës, me një fond prej 8 milionë euro deri tani dhe do të vijojmë ta garantojmë për stafet tona mjekësore, siç jemi zotuar, deri në ditën e fundit të epidemisë. Kemi siguruar dhe do ta bëjmë deri në fund, mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ritheksoi se janë në dispozicion 1600 shtretër për trajtimin e pacientëve COVID.

“Dyfishuam kapacitetet në shtretër me dy struktura të reja në Tiranë dhe sot kemi 550 shtretër në funksion në 4 spitalet COVID. 1600 shtretër për përballimin e situatës me përfshirjen e spitaleve rajonale. Forcuam kapacitet spitalore me pajisje mjekësore për fuqizimin e spitaleve Covid dhe spitaleve rajonale për përballimin e epidemisë nga pajisjet respiratore, monitore, pajisje radiologjike. Sistemi ynë shëndetësor ne fillim te pandemise kishte rreth 200 respiratorë e ventilatore i referohemi muajit mars”, tha Manastirliu.

Manastirliu u shpreh se edhe terapitë e mjekimit janë ofruar falas sipas protokolleve në spitale dhe gjithashtu po vijohet me rimbursimine trajtimit ambulator në banesë.

“Kemi siguruar terapitë e mjekimit me medikamentet sipas protokolleve të shërbimeve spitalore të njëjta me vendet e tjera pa asnjë mungesë. Kemi garantuar barnat falas për pacientët me simptoma të lehta apo të moderuara, pranë mjekut të familjes, me një financim prej 1.2 miliardë lekë”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se janë siguruar 368 mijë doza të vaksinës antigrip, Manastirliu tha se aktualisht qeveria shqiptare është angazhuar në disa drejtime për të patur vaksinën antiCOVID në kohë dhe falas për qytetarët. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.