Manastirliu: Nga dita e hënë fillojnë testet e shpejta në Tiranë, rrisim kapacitetet e testimit

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë se testimi i shpejtë i antigenit do të nisë nga dita e hënë në Tiranë, duke rritur kështu kapacitetet aktuale të testimit.

“Sot, një tjetër angazhim bëhet realitet, ashtu siç e kemi thënë dhe paracaktuar në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit në funksion të kufizimit të përhapjes së infeksionit. Bazuar në vendimin e komitetit te eksperteve u morën të gjitha masat në kohë për përfshirjen e testimit të shpejtë të antigenit. Kemi siguruar në kontraten e parë 100 mijë teste të shpejta të antigenit, teste të cilat janë të njohura nga OBSH, të cilat tashme janë të disponueshme në Shqipëri gati për t’u vendosur në dispozicion të testimit diagnostik dhe hetimit epidemiologjik”, – theksoi Manastirliu.

Sipas ministres, testimi i shpejtë do të nisë nga dita e hënë.

“Fillimisht në Tiranë dhe do të jenë epidemiologët që do ta kryejnë atë në kuadër të hetimit epidemiologjik, në vatrat e evidentuara që do të vlerësohen prej tyre si me rëndësi kyçe në transmetimin e infeksionit bazuar në Udhëzuesin e miratuar nga ISHP dhe Komiteti teknik i ekspertëve”, – tha Manastirliu.

Manastirliu theksoi se në fazën e parë, pra nga dita e hënë deri në datë 20 dhjetor, testimi i shpejtë do të jetë i disponueshëm në të gjithë njesitë vendore të kujdesit shëndetësor në vend.

“Prej 20 dhjetorit, testimi i shpejtë, do të shtrihet dhe ne disa pika testimi të përcaktuara në disa poliklinika dhe disa qendra shëndetësore, në Tiranë dhe më pas, sipas një kalendari, edhe në disa struktura të kujdesit shëndetësor. Planifikimi për testimin e shpejtë të antigenit do të bëhet nga mjeku i familjes sipas fashave orare të sistemit të ekzaminimit elektronik, gjë që lehtëson organizimin, shmang grumbullimet dhe siguron parametrat e kërkuar të mbrojtjes së shëndetit. Pikat e testimit, do të bëhen të njohura në ditët në vijim dhe do të mbulojnë një numër të caktuar banorësh sipas ndarjes gjeografike. Nga 20 dhjetori, testet e shpejta të antigenit do të vihen në dispozicion edhe të spitaleve rajonale për rastet e urgjencave të dyshuara, përpos testimit me metoden klasike të PCR”, tha  Manastirliu./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.