Kolaudimi, një herë në dy vjet/ Gonxhe: Përgjysmim i kostos për qytetarët, më shumë kontrolle në rrugë

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Nga 1 janari i vitit 2021 do të kemi një qasje të re për sa i përket kontrollit të automjeteve, i cili do të kryhet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor.

Drejtori i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe deklaroi sot se qytetarët do të përfitojnë përgjysmim të kostos nga vendimi i qeverisë për mbylljen e kontratës me SGS dhe kalimin e këtij shërbimi edhe njëherë tek DPSHTR-ja.

“Koncesioni ka pasur të mirat e tij, por edhe problemet, të cilat edhe në vitet e fundit nuk morën zgjidhje. Këto probleme do të zgjidhen nga Ministria në vijim. Shumë organizma, ente private, të cilët ofrojnë një, dy, shërbime, kanë vështirësi që të përditësohen, që të modernizohen. Me kalimin e kohës ne vumë re që çalonin shumë gjëra, çalonte komunikimi informatik. Sot, drejtoria është më përpara se një operator privat, i cili kornizohet në interesin e ngushtë të një kontrate të ciën do ta shfrytëzojë në maksimum deri në fund”, tha ai gjatë një interviste në medie.

Gonxhja tha se krahas përgjysmimit të kostos qytarët do të marrin edhe një shërbim më korrekt, por shtoi se kontrolli nga taskforca do të shtohet, pasi do të jetë më e unifikuar pjesa e kontrollit për shkak se të dhënat do të shkëmbehen.

“Ne vumë re, sidomos në vitet e fundit, se cilësia nuk e justifikonte koston që qytetari paguante, lodhjen, angarinë, kohën, shpeshtësinë e kontrollit dhe megjithëse ka pasur rreth 40% rikthim, kjo nuk reflektohej në rrugë. Kemi pasur edhe shumë evazion. Kemi shumë automjete që janë të pakolauduara dhe janë në qarkullim. Shumë shërbime është më mirë që t’i kontrollojmë vetë brenda një qarku të mbyllur me policinë dhe me shtetin. Sa i përket tarifës, me një llogari të thjeshtë i bie që të përgjysmohet, pasi kontrolli do të bëhet një herë në dy vite. Por, kostoja më e madhe është pritja dhe nervat. Ka edhe persona të papërgjegjshëm që mendojnë se tani nuk do të kontrollohen më, por këta nuk duhet të gëzohen sepse taskforca e kontrollit rrugor të cilës sapo iu rinovua mandati me VKM, do të fuqizohet. Bashkë me policinë ne do të kontrollojmë shumë në terren që mjetet që paraqesin veti të dukshme anormale në rrugë, do të kapen dhe do të dënohen shumë herë më rëndë”, u shpreh Gonxhe.

Gonxhja dha një sqarim edhe për ata persona që e kanë kryer kolaudimin deri në këtë pjesë të vitit.

“Kush e ka bërë kolaudimin deri në këtë pjesë të vitit do të paraqitet në vitin 2022 për kolaudimin e radhës. Do të jetë më e unifikuar pjesa e kontrollit, pasi tashmë të dhënat do të shkëmbehen”, tha ai.

Rezervimi online do të jetë më i përsosur dhe më i rregullt, tha Gonxhja, pasi secili do të ketë llogarinë e vet dhe nuk do të ketë më hapësirë për sekserët të cilët rezervonin një numër të lartë oraresh për t’i shitur më pas.

Në 2021-n, sipas Gonxhes, DPSHTRR parashikon të kolaudojë rreth 150 mijë automjete kryesisht të importuara, ndërsa çdo vit kryhej kolaudimi i rreth 400 mijë mjeteve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.