Ish-ministri i Shëndetësisë, Koja: Testet e shpejta arritje strategjike, opozitës po i zerohen votat covidiane

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/ Ish-ministri i Shëndetësisë, Gjergji Koja, i quajti sot testet e shpejta, arritje strategjike.

“Strategjikisht dhe taktikisht, do jetë e mbuluar krejt popullata që do të ketë nevojë për testim, nga dita e parë deri në ditën e pestë të shfaqjes së simptomave, në nivel ambulator dhe spitalor”, u shpreh Koja përmes një postimi.

Ai theksoi se, “pas ditës së pestë, hyjnë në lojë testet PCR që janë kryer deri tani! Dhe të mos harrojmë që këto teste të shpejta identifikuese të antigenit, kanë efektivitet gati 100%!! Dhe të mos harrojmë që këto teste janë të njohura nga OBSH dhe të certifikuara nga Agjencia Amerikane e Barnave dhe Ushqimeve”.

Koja në postimin e tij i bëri thirrje opozitës që nuk është koha për vota covidiane, por për solidaritet dhe bashkëpunim me mjekët.

“Ej, o të nderuar opozitarë, nuk është koha për vota covidiane, por për solidaritet njerëzor dhe bashkëpunim profesional! Sa më shpejt të kthjelloheni për këtë, aq më mirë do jetë edhe për ju! Sepse nuk do të jetë çudi, që militantizmi idiot covidian, t’ua bëjë etjen për pushtet thjesht një ëndërr pa fund”, bëri thirrje Koja./a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.