TIRANË, 4 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Institucioni i Presidenti kreu sot procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Pjesë e shortit ishin kandidatët e sjellë nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Pas shortit, dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, në vitin 2021 do të jenë Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska, ndërsa anëtare zëvendësuese në KED si përfaqësuese e Gjykatës Kushtetuese është shortuar Fiona Papajorgji.
Nga Gjykata e Lartë shorti përzgjodhi Ervin Pupen si anëtar dhe Ilir Pandën anëtar zëvendësues i KED.
Në shortin e hedhur këtë të premte është zgjedhur anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Xholi dhe zëvendësues Kujtim Luli.
Anëtarët përfaqësues nga Gjykatat e Apelit në KED janë zgjedhur Astrit Kalaja dhe Elona Toro, ndërsa anëtari zëvendësues do të jetë Zegjine Sollaku.
Përfaqësuesit e rinj nga Prokuroria e Apelit në KED do të jenë Gjon Fusha dhe Genti Xholi, dhe si përfaqësues zëvendësues është zgjedhur Kleant Zeka.
Rilinda Selimi është zgjedhur anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si përfaqësuese e Gjykatave Administrative, ndërsa Gentjana Xhelili zgjidhet anëtare zëvendësuese në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
KED është një organ kolegjial me 9 anëtarë dhe me mandat 1-vjeçar. Ky institucion ka rol kyç në vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Anëtarët e KED nga Gjykata Kushtetuese:
Marsida Xhaferllari
Elsa Toska
Fiona Papajorgji, anëtare zëvendësuese në KED.
Nga Gjykata e Lartë:
Ervin Pupe
Ilir Panda anëtar zëvendësues i KED
Nga Prokuroria e Përgjithshme
Adnan Xholi
Kujtim Luli anëtar zëvendësues në KED
Nga Gjykatat e Apelit:
Astrit Kalaja
Elona Toro anëtar i dytë i KED
Zegjine Sollaku anëtare zëvendësuese e KED
Nga zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit:
Gjon Fusha
Genti Xholi anëtar i dytë i KED
Kleanth Zeka anëtar zëvendësues i KED
Nga Gjykata Administrative:
Rilinda Selimi
Gentiana Xhelili anëtare zëvendësuese në KED.
/j.p/r.e/