TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë po parashikon një instrument mbështetës financiar për biznesin eksportues, në kushtet kur ai është goditur për shkak të pandemisë së COVID-19.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se paketa është në tryezat e diskutimit dhe do të publikohet në momentin që ajo të jetë gati.
Denaj shpjegoi edhe ecurinë e dy instrumenteve të garancisë sovrane të shpallura nga qeveria në pjesën e parë të këtij viti, si mbështetje për biznesin me likuiditet për pagat e punonjësve dhe kapital qarkullues dhe investime.
Nga instrumenti I i garancisë sovrane për subjektet me vështirësi për pagesën e pagave të punonjësve janë disbursuar 6 miliardë lekë, ndërsa shuma e vendosur në dispozicion nga qeveria ishte 11 miliardë lekë.
Ndërsa nga instrumenti II i garancisë sovrane që lëshoi qeveria shqiptare për kapital qarkullues dhe investime, për të përballuar situatën në të cilën u ndodhën këto kompani, për shkak të pandemisë së COVID-19 janë disbursuar deri tani 7 miliardë lekë nga 15 miliardë lekë të vëna në dispozicion.
“Instrumenti I i garancisë sovrane e ka përfunduar misioni e saj. Pjesën e shumës së mbetur prej 5 miliardë lekësh ne mendojmë ta alokojmë për eksportet. Kemi një diskutim konkret në tryezat tona. Instrumenti II i garancisë sovrane është akoma në funksion për një afat të pacaktuar”, tha ministrja Denaj.
Ajo e cilësoi si të favorshëm instrumentin II të garancisë sovrane, pasi, siç tha ministrja, “avantazhet e kredisë me garanci sovrane janë kushtet preferenciale të financimit, interes që nuk do të kalojë asnjëherë normën 5%, periudhë pa shlyerje të principalit prej 6 muajsh, garanci 60% nga shteti shqiptar për kolateral si dhe periudhë shlyerjeje 5-vjeçare”. /a.a/r.e/