BRUKSEL – Barnier: Ende nuk janë përmbushur kushtet për një marrëveshje post-Brexit

BRUKSEL, 4 dhjetor /ATSH-AFP/ – Kushtet për një marrëveshje post-Brexit mes BE-së dhe Britanisë së Madhe nuk janë përmbushur për shkak të mosmarrëveshjeve të konsiderueshme, pavarësisht një jave diskutimesh intensive në Londër, njoftoi sot negociatori europian, Michel Barnier në Twitter.

“Negociatorët kanë rënë dakord të bëjnë një pushim në diskutime”, theksoi ai.

“Kryeministri Britanik, Boris Johnson dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të “bëjnë një vlerësim” të diskutimeve të shtunën pasdite”, shtoi ai.

“Negociatat mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian për arritjen e një marrëveshjeje tregtare post-Brexit ndodhen në një moment të vështirë”, theksoi sot Downing Street.

“Mbetet dhe shumë pak kohë. Ne jemi në një moment të vështirë të negociatave”, deklaroi për shtypin zëdhënësi i kryeministrit, Boris Johnson duke paralajmëruar se Londra nuk parashikon të pranojë një marrëveshje që nuk respekton parimet themelore të sovranitetit.

Më herët zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel theksoi se Bashkimi Europian, presidenca e radhës të të cilit mbahet nga Gjermania deri në fund të dhjetorit, është gati të arrijë një marrëveshje tregtare me Britaninë e Madhe për Brexit, por jo me çdo çmim.

“Koha kalon”, deklaroi ai ndërkohë që periudha e tranzicionit post-Brexit përfundon pas katër javësh dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha skenaret, gjithashtu edhe për mundësinë e mosarritjes së një marrëveshjeje./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.