Borxhi publik pritet të zbresë vitin e ardhshëm në 78.6%

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Borxhi publik pritet të zbresë në vitin e ardhshëm në 78.6%.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi gjatë një interviste në media se do të shkojmë drejt uljes së vazhdueshme të borxhit dhe deficitit.

“Kam marrë angazhimin për konsolidim fiskal, nga 80.5% që është këtë vit borxhi publik në fund të vitit 2021 parashikojmë të ulet në 78.6% “, u shpreh Denaj.

“Nëse unë rrezikoj të ardhurat shkurtoj shpenzimet dhe nuk rrezikoj borxhin dhe likuiditetin”, siguroi ministrja.

Ministrja Denaj tha se e morëm borxhin publik në një nivel prej 70.4% dhe e zbritëm në fund të vitit 2019 në 66.3%.

“Kemi bërë një transformim në menaxhimin e borxhit. Kemi ulur normën e interest, kemi ndryshuar borxhet nga afatshkurtëra në afatgjata, me normë interesi fikse, që nuk sjellin risqe e mbi të gjitha kemi realizuar që huamarrja e brendshme të jetë shumë më e konsiderueshme në krahasim me si ishte më përprara. Huamarrja e brendshme në një treg likuid si ky i yni është ai që na garantoi edhe këtë vit një sukses”, tha Denaj.

Ministrja shpjegoi edhe borxhin që është marrë nga qeveria shqiptare.

“Ne kemi realizuar diku te 78% të huamarrjes së lejuar në tregun e brendshëm që është në kufirin e 49 miliardë lekëve. 650 milionë euro janë siguruar nga eurobondi dhe ndërkohë 250 milionë euro janë paguar në muajin nëntor, sepse është procesi i huamarrje së 2015-s. Kemi marrë 190 milionë dollarë nga FMN-ja, ndërsa të gjitha negociatat për huamarrjet e tjera janë në proces për t’u disbursuar”, tha Denaj.

Denaj u shpreh se të gjitha huatë që po negociohen do të shkojnë për mbështetje buxhetore në vitin 2021.

“Sepse deficiti buxhetor i këtij viti është i stimulaur në një ulje të të ardhurave prej rreth 60 miliardë lekësh për arsye të mbylljes së ekonomisë, nga të cilat 20 miliardë lekë erdhën për shkak të vendimit të qeverisë për të mbështetur biznesin e vogël duke u shtyrë atyre tatimfitimin”, shpjegoi ministrja.

Qeveria, siguroi Denaj, nuk rrezikon për likuiditet. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.