Basha në Kukës: Prioritet, ndihma direkte për familjet në nevojë dhe sipërmarrjen

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka vizituar një punishte artizanati në Kukës, ku ka dëgjuar dhe parë nga afër problemet e zonjës Hate Ora, që ushtronte biznesin.

Në bashkëbisedim me biznesin, Basha tha se situata ekonomike është në gjendje shumë të rëndë.

“Ju jeni ngjitur me Kosovën. Dhe po lexoja dje, ndihmën që jep qeveria e Kosovës për të gjitha bizneset, për të gjithë njerëzit në marrëdhënie pune. Kosova ka gjysmën e buxheti të Shqipërisë dhe prapëseprapë ka ndarë paketën e parë, të dytë, të tretë. Maqedonia po ndan të katërtën. I vetmi vend me ndihmën më të ulët ekonomike në Europë mbetëm ne dhe kjo ka shkaktuar një vuajtje dhe dhimbje të jashtëzakonshme dhe ju e dini vetë se Kukësi është në krye të listës së papunësisë dhe varfërisë”, tha ai.

Po ashtu Basha shton se në këto kushte qeveria duhet të ndihmojë, se qesja po zgjidhet vetëm për një grusht njerëzish që po marrin paratë dhe taksat e shqiptarëve ndërkohë që shumica njerëzve nuk po marrin asgjë në këtë kohë. “Kjo është e papranueshme, njerëzit e punës duhet mbështetur”, u shpreh Basha.

“Rruga e vetme për t’i dalë përpara kësaj te keqeje është ajo që kemi propozuar prej marsit. Paketa ndihme dhe financiare për të gjithë familjet në nevojë, veçanërisht për biznesin. Dua të të jap kurajo ty dhe në veçanti të gjitha zonjave sipërmarrëse të Kukësit e të gjithë Shqipërisë faleminderit ju që jeni shembull i punës, inovacionit dhe kurajos dhe ju them se të keni shpresë dhe besim se gjërat do të ndryshojnë, do të keni një qeveri në krahun tuaj! Dhe prioriteti i asaj qeverie, i qeverisë së ardhshme, prioriteti im do të jetë ndihma direkte për familjet në nevojë dhe sipërmarrjen”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.