Akuzat për përdorim të helikopterit nga Xhaçka në Dibër/ Ministria e Mbrojtjes padit PD-në për shpifje, PD dorëzon padinë në SPAK

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Ministria e Mbrojtjes ka paditur sot për shpifje Partinë Demokratike në lidhje me akuzat e saj se ministrja Olta Xhaçka ka përdorur helikopterin për fushatë elektorale në Dibër.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Mbrojtjes që shprehet se ka paditur PD-në me akuzën për shpifje.

“Ministri i Mbrojtjes padit për shpifje PD dhe përfaqësues të saj pas akuzave për përdorim të mjeteve të Forcës Ajrore në fushatë zgjedhore”, thuhet në njoftim.

Partia Demokratike në mënyrë të përsëritur ka ngritur akuza ndaj ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Ndërkaq, Partia Demokratike njoftoi më pas se ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal kundër ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe autoriteteve ushtarake që, sipas PD-së, kanë manipuluar të dhënat për përdorimin e helikopterit ushtarak për fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste.

Në kallëzim, sipas njoftimit të PD-së, argumentohet me fakte konkrete të fluturimeve dhe të aktiviteteve elektorale të PS në Dibër në të njëjtën ditë, se Ministrja e Mbrojtjes ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe të përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike dhe zgjedhore.

“Për secilën nga shkeljet e ligjit, Kodi Penal parashikon përkatësisht deri në 7 dhe deri më 3 vjet burg”, thuhet në njoftim.

Në kallëzimin penal, të dorëzuar nga përfaqësuesit e PD, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri, jepen detaje për shkeljen e ligjit nga Ministrja e Mbrojtjes, duke përdorur helikopterin ushtarak për qëllime elektorale, pasi është emëruar drejtuese politike e PS në Dibër.

“Ky kallëzim apo kallëzimet e ngjashme me të, janë rasti ideal që edhe SPAK të sprovohet në sytë e mbarë opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar dhe të tregojë me vepra se organet ligjzbatuese shqiptare do të vendosin përpara përgjegjësive çdo shkelës të ligjit, pavarësisht nëse është apo jo i pasur apo i veshur me pushtet”, – thuhet në kallëzimin penal të Partisë Demokratike.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.