108 vjet Forca të Armatosura/ Proces transformimi sipas standardeve të NATO-s, pajisje me mjete moderne si në tokë, në ajër dhe në det


TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ 108-vjetori i krijimit i gjen Forcat e Armatosura të Shqipërisë në një proces transformimi.

Kryeministri Edi Rama shprehu sot respektin për çdo shqiptar e shqiptare që në këta 108 vjet, ka shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

“Mirëmëngjes dhe me shprehjen e respektit më të madh, për çdo shqiptar e shqiptare që në këta 108 vjet, ka shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë. Lavdi dëshmorëve”, tha Rama.

FA po reformohen dhe po modernizohen sipas standardeve të NATO-s dhe ka sot trajtim më të mirë financiar e mundësi të reja arsimimi.

Po ashtu, FA shqiptare kontribuojnë për paqen në misione të NATO-s, BE-së dhe OKB-së.

Forcat e Armatosura po modernizohen me mjete dhe pajisje nga më modernet, si në tokë, në ajër dhe në det.

Kuçova do të jetë baza e vetme e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, ndërsa së shpejti do të vijnë helikopterët “Black Hawk”.

FA janë më të mirëpajisura për t’i bërë ballë çdo situate emergjente, janë mburojë e mbrojtjes dhe e sigurisë për çdo familje shqiptare.

Ndërsa Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, u shpreh se “në 108 vjet Forcat e Armatosura kanë pasur një histori plot drama e suksese, dhimbje e gëzim, ulje e ngritje”.
“Një histori që ndërthuret e bëhet njësh me historinë e Shqipërisë e shqiptarëve. Sot unë ndihem krenare që Forcat e Armatosura vlerësohen nga shqiptaret si institucioni më i besueshëm e i respektuar, ashtu si ndihem krenare kur partnerët e aleatet tanë vlerësojnë performancën e djemve e vajzave tona me uniformë dhe përparimin e madh që FA kanë bërë. Ka ende shumë punë për të bëre, por është fakt që FA sot është një forcë më moderne, më profesionale, me ushtarakë që arsimohen e stërviten njësoj si kolegët e tyre të NATO, ndërkohë që trajtohen sot financiarisht e janë sot të pajisur shumë herë më mirë
Mirënjohje për këdo që ka kontribuar për FA”, tha ajo.
Xhaçka shprehu mirënjohje e krenari për ata djem e vajza që me punën e tyre po e shndërrojnë FA realisht në një forcë të standardeve të NATO-s.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.