Zhupa: Shqipëria e fundit edhe për kohën e përgjigjes së tamponit për testin COVID-19

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa deklaroi sot se Shqipëria është e fundit edhe për kohën e përgjigjes së tamponit për testin COVID-19.

“Dëshmitë e personazheve të njohur tregojnë qartë se sa me vonesë ju merret tamponi dhe ju vjen përgjigja. Reagimi në kohë ndaj COVID-19 është një nga faktorët kyç në suksesin e të mundjes së pandemisë. Reagimi në kohë me terapi ndihmon pacientin për ta kaluar më shpejt dhe më lehtë infektimin, por edhe që mos të përhapet, pasi ndërkohë që nuk ka përgjigje pacientët nuk janë në karantinë”, tha Zhupa.

Po ashtu Zhupa shtoi se, “Rama dhe qeverisja e tij nuk do t’ia dijë për shëndetin e qytetarëve, nuk do t’ia dijë për jetët e humbura nga keqmenaxhimi i sistemit shëndetësor. Paratë nuk çohen për teste, për staf mjekësor por për luks, inceneratorë, tenderë sekretë, PPP fantazmë”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.