Vonesa në dekretimin e Buxhetit/ Balla: Meta vonon institucionet për blerjen e vaksinës

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se Presidenti po vonon dekretimin e ligjit “Për Buxhetin”.

“Është e papranueshme Ilir Meta që të vonosh ligjin “Për buxhetin””, iu drejtua ai Presidentit nga foltorja e Kuvendit.

Sipas Ballës, ligji “Për buxhetin” është miratuar nga ky Kuvend dhe është shprehja më kuptimplotë e vullnetit të shumicës dhe Presidenti për turpin e tij vazhdon të mbajë peng buxhetin.

“Duke vonuar buxhetin ka vonuar qeverinë e institucionet e tjera të jenë gati për blerjen e vaksinës apo për programimin në kohë të të gjitha nevojave të tjera që ka shteti në përballje me pandeminë. Ilir Meta për turpin  tij vonon buxhetin e shtetit duke vouar përgatitjet që do të bëjë qeveria për përballjen me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19”, tha Balla.

Balla reagoi edhe lidhur me një spot të publikuar nga Partia Demokratike për spitalin bashkiak të Laçit, duke e cilësuar të gënjeshtërt.

“Gënjen dhe nuk ka pikë turpi të gënjejë, sepse ditën që arrin të bëjë politikë me numrin e të vdekurve, ajo parti e ka humbur busullën në marrëdhënien me qytetarin shqiptar. Shqiptari e ka për zakon që edhe kundërshtarit t’i gjendet në kohë fatkeqësie, por PD i ka humbur këto vlera njerëzore dhe humane”, tha Balla.

Ajo që ka ndodhur me spitalin e zonës së Kurbinit, spitalin bashkiak të Laçit, tha Balla, është që shteti shqiptar ka gjetur tokën, dhe ka zhvilluar procedurën që përfshin edhe institucione financiare.

“Fakt është që qeveria ka siguruar fonde dhe ka negociuar marrëveshjen për ta financuar. Spitali do të fillojë, qeveria Rama i qëndron angazhimit të vet që në pranverën e 2021-it, atëherë kur politika e mbrapshtë e këtyre plotikanëve që mundohen të bëjnë politikë me vdekjen do të marrin përgjigjen përfundimtare”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.