“Together is Beautiful”/ Violinisti shqiptar, pjesë e orkestrës së virtuozëve nga 197 vende

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH-Bledi Naska/ Shqipëria është pjesë e projektit “Together is Beautiful”, iniciativë e kompozitorit George Fenton e që do të interpretohet nga “ Orkestra e Tokës”.

Muzikanti virtuoz që do të jetë pjesë e këtij projekti është violinisti Aurel Qirjo.

Në regjistrimin e pjesës së violinës në “Together is Beautiful” (“Së bashku është shumë bukur”), violinisti Aurel Qirio interpretoi tipologji të muzikës shqiptare të Shqipёrisё sё Jugut.

“Together is Beautiful” interpretohet më datën 3 dhjetor për publikun për herë të parë.

“Orkestra e Tokës” është formulimi dhe bashkimi i muzikantëve më virtuoz nga të gjitha vendet e botës. Iniciativa për të bërë bashkë të gjithë këta muzikantë, nga një të tillë që është ndër më të mirët e secilit vend të botës, mori jetë dhe u konkretizua dy vite më parë, për t’i bërë bashkë ata në interpretimin e një pjese muzikore.

Si rezultat u krijua një orkestër e përbërë me muzikantë nga 197 vende të botës.

“Së bashku është shumë bukur” u kompozua nga kompozitori i njohur i skenës ndërkombëtare George Fenton dhe që u regjistrua në shtëpinë e famshme diskografike Decca në Mbretërinë e Bashkuar. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.