Rama: S’ka asnjë shans që të dënohen memet me Kod Penal; reagon Basha

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama hodhi sot poshtë të gjitha pretendimet e ngritura nga disa analistë, sipas të cilëve “do të dënohen memet me Kod Penal”.

Kryeministri theksoi se “nuk ka asnjë shans që kjo të ndodh”.

“Shih shih qenkan revoltuar ca analistë se do u dënokan memet me Kod Penal, duke u nisur nga s’di ç’material jozyrtar! Po si mund të ndalohen memet me ligj na e thonë dot këta orakuj të kombit? Asnjë shans s’ka, ku ta gjenim që dhe këta të merreshin me meme që të vlenin për diçka”, tha Rama.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se “për 7 vite Rama nuk mbajti asnjë premtim”.

“Nuk punon për të shpëtuar jetë njerëzish dhe për të ndihmuar shëndetësine, por gjen kohë të merret me meme. Nuk jep ndihmë financiare për shqiptarët në këto ditë të vështira, por përpiqet tu mbyllë gojën kritikëve. Nëse gjithë kohën dhe paratë e harxhuara për të fshehur të vërtetën e dështimit me pandeminë dhe krizën, do ti kishte shpenzuar për të ndihmuar shqiptarët, Shqipëria nuk do të ishte sot vendi me ndihmën më të ulët ekonomike, shpenzimet më të ulëta shëndetësore dhe papunësinë më të lartë. Për 7 vite Rama nuk mbajti asnjë premtim. Boll më!”, tha Basha. /m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.