Situata e pandemisë/ LSI shtynë Konventën Zgjedhore të parashikuar më 5 dhjetor

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi sot se për shkak të pandemisë dhe situatës në vend, LSI vendos të shtyjë Konventën Kombëtare Zgjedhore të parashikuar më 5 dhjetor.

Në një deklaratë për mediet, Kryemadhi tha se, “në kushtet e përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës prej pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, përballë fakteve e dëshmive të shumta rrënqethëse, kur mosveprimi dhe përpjekja për të bërë fajtor qytetarin e thjeshtë e të pambrojtur është bërë vijësjellje e qeverisë. Me përgjegjësinë dhe autoritetin që më jep statuti i partisë, si Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroj se kam vendosur të shtyj për në një kohë tjetër mbajtjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e parashikuar të mblidhej më datën 5 dhjetor 2020”.

Po ashtu, Kryemadhi tha se “duke qenë e bindur në mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj për vendimin që po shpall sot publikisht, dua të theksoj se solidariteti dhe bashkëveprimi, vendosmëria dhe guximi qytetar, humanizmi, dashuria për njeriun dhe respekti për jetën e gjithësecilit, mirënjohja për njerëzit e sakrificës dhe për të gjithë ata që shërbejnë në kushte skandaloze, edhe pse janë në vijën e parë të luftës me të keqen, janë e do të mbeten busulla e orientimit të çdo qëndrimi dhe vendimi të Lëvizjes Socialiste për Integrim”.

“Vendimi për shtyrjen e mbajtjes së Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk e afekton veprimtarinë e përditshme të strukturave tona në të gjitha nivelet e në të gjithë vendin. Trupa e delegatëve përfaqësues nga çdo bashki, si strukturë legjitime e zgjedhur me parimin “një anëtar – një votë” në zgjedhjet e 21 nëntorit, shndërrohet në shtabin elektoral të Lëvizjes Socialiste për Integrim për bashkinë respektive, dhe do të vazhdojnë pa asnjë ndërprerje nën drejtimin e të deleguarve në çdo qark, përmbushjen e detyrave të parashikuara në kalendarin tonë politik dhe elektoral”, tha ajo.

Duke u fokusuar te pandemia Kryemadhi tha se të gjithë ne, por dhe e mbarë bota, po përballemi me një situatë të paprecedentë.

“Lëvizja Socialiste për integrim, që prej kur u shfaq pandemia e në vijimësi, ka refuzuar të bëjë politikë me pandeminë. Por ndërkaq, nuk do të lejojmë askënd që pandeminë ta përdorë për politikë. Vendimi im për të shtyrë mbledhjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është njëherësh edhe shenjë homazhi për ata që kanë humbur jetën prej pandemisë, është solidaritet më të gjithë qytetarët që po përballojnë me njëmijë e një sakrifica dhe pa mbështetjen e shtetit, kostot e mëdha të luftës për jetën dhe në emër të dashurisë për jetën”, tha ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.