SHBA – Rekord viktimash nga COVID-19, mbi 100 000 të shtruar në spitale

UASHINGTON, 3 dhjetor /ATSH-AFP/ – SHBA-ja ka regjistruar gjatë 24 orëve të fundit më shumë se 2 700 viktima si pasojë e COVID-19, një nivel ditor që nuk ishte regjistruar që prej muajit prill, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Vendi ka regjistruar 2 731 viktima të tjera në 24 orë duke e çuar bilancin total në 273 181 të vdekur që prej fillimit të pandemisë. Janë regjistruar gjithashtu 195 121 infektime të reja ditore.

Numri i personave të infektuar nga koronavirusi dhe i të shtruarve në spitale në SHBA ka kaluar 100 000 për herë të parë që prej fillimit të pandemisë, njoftoi sot Covid Tracking Project.

“Aktualisht ka 100 226 persona të prekur me COVID-19 dhe të shtruar në spital në SHBA, hera e parë që shtrimet në spital kalojnë shifrën 100 000”, theksoi ai në një mesazh në Twitter.

Dhe autoritetet amerikane tremben se mos kjo situatë përkeqësohet. Më shumë se 150 000 persona testohen pozitiv me COVID-19 çdo ditë në SHBA.

Një rritje e ndjeshme e kontaminimeve pritet gjithashtu pas festimeve të Thanksgiving, shënuar nga lëvizja e miliona personave.

Vetëm kalifornua ka regjistruar më shumë se 20 000 raste me COVID-19 duke u bërë shteti amerikan që ka regjistruar më shumë raste në një ditë që prej fillimit të pandemisë, sipas Covid Tracking Project.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.